Banjska, sulmi në Kanalin e Ibër-Lepencit…- Hoxha i listoi një nga një sukseset e Policisë në Veri në letrën që ia çoi Kurtit

by Nexhat

Në letrën drejtuar kryeministrit Albin Kurti, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka paraqitur një përmbledhje të punës së tij dhe rezultateve të Policisë së Kosovës gjatë periudhës sa ka qenë në krye të këtij institucioni, nga marsi i vitit 2023 deri më 30 tetor 2026.

Hoxha ka theksuar se gjatë mandatit të tij Policia e Kosovës është përballur me sfida të shumta të sigurisë, veçanërisht në pjesën veriore të vendit, duke përmendur operacionet kundër strukturave ilegale, largimin e barrikadave, luftimin e kriminalitetit dhe përballjen me sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023. Ai ka veçuar edhe menaxhimin dhe hetimin e sulmit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, si dhe arrestimin e personave të dyshuar për këtë rast.

banner

Sa i përket luftimit të kriminalitetit, Hoxha ka thënë se Policia ka shënuar rezultate në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit me drogë dhe armë, korrupsionit, krimeve kibernetike dhe mashtrimeve me kriptovaluta. Ai ka theksuar gjithashtu se Kosova renditet ndër vendet më të sigurta në Evropë dhe e treta në botë, ndërsa ka pasur rënie të vrasjeve, krimeve të rënda dhe grabitjeve.

Në letërdorëheqjen e tij, Hoxha ka paraqitur edhe disa nga rezultatet konkrete të hetimeve. Sipas tij, në periudhën 2023–30 tetor 2026, në kuadër të hetimeve për krime lufte janë iniciuar 66 kallëzime penale kundër 745 personave të dyshuar, janë arrestuar 62 persona dhe janë gjetur 62 trupa dhe 14 pjesë kockore.

Në luftimin e fajdesë, ai ka bërë të ditur se nga maji i vitit 2024 janë arrestuar 79 persona të dyshuar, janë zhvilluar 40 operacione policore dhe janë kontrolluar rreth 90 objekte. Vlera e pasurive të sekuestruara gjatë këtyre operacioneve është vlerësuar në rreth tetë milionë euro.

Ndërkaq, lidhur me rastet “WHITE STAR” dhe “SKYECC”, Hoxha ka raportuar për arrestimin e 37 personave dhe sekuestrimin e parave, armëve, veturave dhe pasurive të tjera. Sipas tij, vlera e përgjithshme e sekuestrimeve, konfiskimeve dhe ngrirjeve të pronave dhe llogarive bankare në këto raste ka arritur në 53 milionë e 974 mijë e 918 euro.

Në fund të letrës, Hoxha ka folur edhe për vendimin e tij për dorëheqje, të cilin e ka cilësuar si dorëheqje morale, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Ai ka thënë se këtë vendim e ka marrë pas një reflektimi të thellë dhe nga përgjegjësia institucionale e morale, duke vlerësuar se përgjegjësia udhëheqëse nuk përfundon vetëm te veprimet individuale, por përfshin edhe përgjegjësinë për standardet e institucionit që drejton.

Hoxha ka theksuar se dorëheqja e tij nuk përbën braktisje të Policisë së Kosovës, por një mesazh se institucionet duhet të jenë më të forta se individët dhe se besimi i qytetarëve duhet të mbrohet përmes llogaridhënies. Ai ka falënderuar në fund pjesëtarët e Policisë së Kosovës për punën dhe përkushtimin e tyre gjatë viteve të shërbimit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy