Mbrojtësi i viktimave e ngriti rastin e Arlinda Zekajt në takimin e Mekanizmit Koordinues kundër dhunës në familje në Pejë, më 22 tetor, ku morën pjesë përfaqësues të Prokurorisë, Policisë, Qendrës për Punë Sociale, Komunës dhe strehimores. Tri ditë më vonë, Arlinda Zekaj u vra. Këto të dhëna dalin nga përgjigjja e Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave në Pejë, e cila është pjesë e kërkesës së Kryeprokurorit për inicimin e procedurës disiplinore, që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.
Në takimin e tretë të Mekanizmit Koordinues për rastet e dhunës në familje në Komunën e Pejës, sipas Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, morën pjesë udhëheqësja e mekanizmit, Samka Drançolli, prokurorja koordinatore për rastet e dhunës në familje, hetuesja e Policisë, Besnike Kelmendi, drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale, Albulena Bajraktaraj, udhëheqësi i shërbimeve sociale, Durim Kelmendi, përfaqësues të Komunës, drejtoresha e strehimores, Ardita Balaj, si dhe përfaqësues të Avokatit të Popullit dhe të OSBE-së.
Në këtë takim, Mbrojtësi i Viktimave tha se urdhri mbrojtës nuk po zbatohej dhe se të afërmit e ish-bashkëshortit ishin vendosur në shtëpi pas vendimit të gjykatës.
“…ku unë e kam potencuar faktin se personat e njëjtë janë vendosur aty qëllimisht qe palës së mbrojtur te i pamundësohet qëndrimi ne shtëpinë e sajë ne prezencën e këtyre personave, edhe pse prona ne te cilën ka qene e ndërtuar shtëpia ka figuruar si pronë e përbashkët bashkëshortore…”
Sipas ZMNV-së, që nga seanca gjyqësore e 5 tetorit, Mbrojtësi i Viktimave kërkonte nga Qendra për Punë Sociale në Pejë raportin për kujdestarinë e fëmijës, të cilin e kishte kërkuar gjykata. Ky raport nuk iu dorëzua.
“…mirëpo edhe pse kam insistuar çdo ditë duke i telefonuar dhe kërkuar sigurimin e këtij raporti nëpërmes rrjetit social VIBER, asnjëherë nuk e kam pranuar një raport te tillë nga udhëheqësi i shërbimeve Durim Kelmendi.”
Pasi pranoi vendimin e ri të gjykatës, më 19 tetor, Mbrojtësi i Viktimave thotë se shkoi te prokurorja koordinatore për dhunën në familje, ku takoi edhe hetuesin Qëndrim Sheremeti, dhe shprehu shqetësimin për ekzekutimin e vendimit. Më 21 tetor, Arlinda Zekaj e njoftoi se ishte kthyer në shtëpi, por aty kishte gjetur kunatin dhe familjen e tij.
Më 25 tetor, në mbrëmjen kur u vra, Arlinda Zekaj iu drejtua sërish Mbrojtësit të Viktimave.
“Me dt. 25.10/2026, rreth orës 18:00, nëpërmes rrjetit social WHATSAPP, me ka kontaktuar pala e mbrojtur e cila fillimisht me ka dërguar një incizim te situatës ku shihen rrobat e hedhura në oborr…”
Sipas ZMNV-së, në orën 18:06 Arlinda Zekaj e telefonoi sërish. Mbrojtësi i Viktimave e udhëzoi që ta raportonte rastin në Polici dhe të mos largohej nga oborri derisa të mbërrinte Policia.
Në përgjigjen e saj, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave thotë se kishte ndërmarrë “të gjitha veprimet e duhura” lidhur me kërkesën e Arlinda Zekajt për urdhër mbrojtjeje.

