Haxhiu kërkon që Prokuroria Speciale t’i hetojë zyrtarët e përfshirë në rastin e Arlinda Zekajt, kritikon KGJK-në e Komunën e Pejës

by Nexhat

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka kërkuar që Prokuroria Speciale të angazhohet në hetimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.

Haxhiu tha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se po konstituohet Komisioni hetimor Parlamentar, i cili do t’i shqyrtojë të gjitha procedurat lidhur me këtë rast.

banner

Ajo ka kërkuar që të gjithë zyrtarët e përfshirë të paraqiten për të dëshmuar në këtë komision.

“Si kryetare e Kuvendit, do të jem në dispozicion të plotë për të trajtuar kërkesat që Komisioni ka dhe unë pres të gjithë zyrtarët që do të jenë në listën e dëshmitarëve të këtij komisioni, që të vijnë dhe t’i përgjigjen kërkesave të Komisionit”, tha ajo.

Haxhiu tha se Prokuroria do të duhej të hetonte mbi këtë rast.

“Pa dyshim që prokuroria do të duhej të merrej me hetime në këtë rast, përkatësisht do të duhej që Prokuroria Speciale të jetë e angazhuar për të bërë hetime në raport me veprimet dhe mosveprimet apo veprimet e gabuara të secilit zyrtar në rastin e vrasjes tragjike të Arlinda Zekaj”, tha ajo.

“Pra, Komisioni hetimor është vetëm një mekanizëm shtesë që do të përpilojë në fund dokument për këtë rast dhe do ta drejtojë në prokurorinë përgjegjëse, uroj që ajo të jetë Prokuroria Speciale, për shkak se këtu përfshihen zyrtarë të lartë, përfshihen kryeprokurorë, prokurorë, policë, zyrtarë të tjerë të institucioneve, prandaj bie në fushëveprimtarinë e kësaj prokurorie”, tha Haxhiu.

Haxhiu ka kritikuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Komunën e Pejës për mosveprim në raport me marrjen e masave ndaj zyrtarëve përgjegjës.

“Unë vlerësoj faktin që tani janë suspenduar kryeprokurorja, prokurorja e rastit dhe 11 policë. Mbetem me shqetësim se pse Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk ka vepruar dhe as Komuna e Pejës. As kryetari i komunës, as drejtoria përkatëse për Mirëqenie nuk kanë vepruar në raport me marrjen e masave ndaj zyrtarëve përgjegjës. Ky rast duhet të na shërbejë që asnjëherë në të ardhmen të mos kemi zyrtarë që nuk e kryejnë detyrën e tyre”, tha ajo.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy