Analisti Lirim Mehmetaj ka kritikuar përpjekjet për ta zhvendosur përgjegjësinë nga Qeveria te zyrtarët lokalë të Policisë së Kosovës, lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Në Debat Plus, Mehmetaj ka thënë se që nga ardhja e Albin Kurtit në pushtet, përkrahësit e Qeverisë po tentojnë që përgjegjësinë politike për problemet në vend t’ua atribuojnë mekanizmave lokalë, në vend se ta kërkojnë atë edhe te niveli qendror.
Ai ka theksuar se përgjegjësia për gjendjen e Policisë bie edhe mbi ministrin, duke përmendur mungesën e pajisjeve, uniformave dhe veturave për policët.
“Këta përkrahes të pushtetit në Kosovë, qysh farë switchi interesant kanë bo. Derisa ka ardh Albin Kurti në pushtet. Për çdo problem në Kosovë, përveç fajtorit konkret aty lokal, e kemi bo fajtorë me të drejtë edhe qeverinë. Vazhdimisht. Bile u patë kriju kulturë që me ja bart përgjegjësin tana herët një politikani për situtatën. Prej se e kemi Albin Kurtin në pushtet, tana herët tentohen që politikën me e përjashtu prej përgjegjësisë e me tentu me gjetë atë mekanizma lokalë. Jo po Faruku, jo po ky tjetri”, ka deklaruar ai.
Mehmetaj ka kundërshtuar që rasti i Arlinda Zekajt të trajtohet vetëm si dështim i zyrtarëve policorë në nivel lokal, duke thënë se duhet të shqyrtohet përgjegjësia e të gjithë sistemit.
Ai ka treguar edhe për një rast personal, kur kishte raportuar në Polici një kërcënim ndaj tij, por sipas tij, rasti nuk ishte trajtuar siç duhej. Mehmetaj ka pretenduar se kishte pasur ndërhyrje nga ministri që rasti të trajtohej ndryshe.
“Absolutisht është problemi sistemit, as i mensisë. Asgjë tjetër, hiq. Automatikisht sistemi, ministri ka faj, se policia është e dobët. kapela s’ka, uniforma s’ka, vetura s’ka. Edhe me ka pasë vullnet. Qëta policët në Pejë me bo diçka ma shumë nuk kanë pasë mundësi teknike me bo diçka ma shumë. Qe ata janë pjesë e një sistemi që ne i thojmë jo”.
Ai ka kritikuar këtë mënyrë të funksionimit të institucioneve, duke e cilësuar sistemin si të kalbur.

