Barcelona po interesohet për mbrojtësin e Bayernit, e synon transferimin e tij në janar

by Nexhat

Në një zhvillim të rëndësishëm, gazetari Florian Plettenberg nga “Sky Germany” raporton se Barcelona ka bërë një sondazh te Bayern Munichu për mundësinë e transferimit të mbrojtësit Jonathan Tah.

Katalunasit janë në kërkim të një qendërmbrojtësi me përvojë, i cili do të formonte një dyshe me Pau Cubarsin në qendër të mbrojtjes. Në këtë drejtim, reprezentuesi gjerman shihet si një objektiv interesant.

banner

Tah është një emër i njohur për Barcelonën, pasi klubi kishte shfaqur interesim të madh për transferimin e tij edhe në vitin 2025, kur mbrojtësit po i skadonte kontrata me Bayer Leverkusenin.

Kampioni i Spanjës kishte shqyrtuar mundësinë e transferimit të tij, por në fund kishte hequr dorë nga kjo ide, ndërsa futbollisti përfundoi te Bayern Munichu.

Që prej transferimit te kampionët e Bundesligës, 30-vjeçari është shndërruar në një nga lojtarët kryesorë të repartit defensiv. Ai ka regjistruar 67 paraqitje me fanellën e bavarezëve, duke realizuar nga tri gola dhe asistime.

Sipas raportimit, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, dhe trajneri Hansi Flick vazhdojnë ta vlerësojnë lart mbrojtësin gjerman, prandaj klubi katalunas ka bërë një sondazh për të kuptuar nëse ekziston mundësia e transferimit të tij.

Megjithatë, gazetari Plettenberg thekson se, në rrethanat aktuale, një transferim i Tah te Barcelona në afatin kalimtar të janarit nuk shihet si një mundësi reale.

Reprezentuesi gjerman është i kënaqur te Bayern Munichu, ndërsa edhe klubi bavarez nuk ka asnjë synim për ta lejuar largimin e qendërmbrojtësit gjatë janarit.

Për këtë arsye, interesimi i Barcelonës vështirë se do të shkojë përtej sondazhit fillestar për 30-vjeçarin, i cili ka kontratë me Bayernin deri në verën e vitit 2029.

Edhe pse Tah vlerësohet shumë nga drejtuesit katalunas, raportimet e mëparshme kanë bërë të ditur se preferenca e Flickut dhe stafit të tij është transferimi i një qendërmbrojtësi që luan me këmbën e majtë.

Në mesin e objektivave më realistë për Barcelonën është përmendur Lisandro Martinez i Manchester Unitedit, kontrata e të cilit skadon në vitin 2027.

Ndërkohë, interesim më i lehtë është raportuar edhe për lojtarë si Natan i Real Betisit dhe Piero Hincapie i Arsenalit.

Mbetet të shihet se për cilin mbrojtës do të vendosë Barcelona të bëjë lëvizje gjatë afatit kalimtar të janarit. Ajo që duket e qartë është se transferimi i Jonathan Tah nuk pritet të realizohet.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy