Ekonomia gjermane po rimëkëmbet më shpejt nga sa pritej dhe rritja pritet të përshpejtohet në tremujorin e fundit të vitit, deklaroi të mërkurën Presidenti i Bundesbank, Joachim Nagel, megjithëse problemet strukturore vazhdojnë të pengojnë ekonominë më të madhe të Europës sipas Reuters.
Gjermania, ekonomia e tretë më e madhe në botë, ka kaluar një periudhë stanjacioni gjatë pjesës më të madhe të tre viteve të fundit, ndërsa sektori i saj i madh industrial ka humbur një pjesë të konkurrueshmërisë. Rimëkëmbja ka nisur gjatë këtij viti, e mbështetur edhe nga rritja e shpenzimeve qeveritare për mbrojtjen dhe infrastrukturën.
“Vlerësimet tona të ndërmjetme sugjerojnë një rimëkëmbje më të fortë nga sa prisnim gjatë verës”, deklaroi Nagel në një konferencë në Riga. “Rritja ekonomike ka të ngjarë të përshpejtohet në tremujorin e katërt”.
Në qershor, Bundesbank parashikonte një rritje ekonomike prej vetëm 0.5% për vitin 2026, por shumica e institucioneve kryesore parashikuese tashmë presin një normë rritjeje më shumë se dy herë më të lartë, me zgjerimin ekonomik që pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
Sipas Nagel, surpriza më e madhe e këtij viti ka qenë rimëkëmbja e industrisë përpunuese, veçanërisht e prodhimit të kimikateve dhe pajisjeve elektrike. Niveli i porosive sugjeron se përmirësimi mund të vazhdojë.
“Megjithatë, rimëkëmbja nuk është ende e përhapur në të gjithë ekonominë”, tha Nagel. “Konsumi privat mbetet i dobët, ndërsa investimet në makineri dhe pajisje ranë gjatë tremujorit të dytë”.
Presidenti i Bundesbank theksoi gjithashtu se potenciali i rritjes ekonomike të Gjermanisë mbetet veçanërisht i ulët dhe se nevojiten ndryshime të thella strukturore për ta përmirësuar atë.
Sipas tij, vendi ka nevojë për reforma në tregun e punës, në kushtet kur popullsia në moshë pune po tkurret, për përparim në kalimin drejt një sektori energjetik neutral ndaj karbonit dhe për masa që nxisin investimet private.

