Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Arian Tahiri, tha se Raporti i Progresit për Kosovën është shqetësues, duke theksuar se ky raport evidentoi një sërë mangësish, të cilat pushteti duhet t’i marrë seriozisht.
Tahiri tha se kur institucionet europiane evidentojnë mangësi në demokraci, drejtësi, ekonomi dhe funksionimin e institucioneve, përgjigjja e një qeverie serioze nuk mund të jetë arsyetimi.
“Raporti i Komisionit Europian për vitin 2026 nuk është dokument i opozitës. Nuk është hartuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Nuk është shkruar për t’i shërbyer interesit të asnjë partie politike. Është një vlerësim institucional i progresit të Republikës së Kosovës. Dhe pikërisht për këtë arsye, duhet lexuar me seriozitet dhe me përgjegjësi”.
Tahiri gjithashtu tha se vërejtjet e dhëna nga Komisioni Europian nuk janë vërejtje teknike, por se ato janë “paralajmërime për cilësinë e demokracisë sonë”.
“Demokracia matet me mënyrën se si ushtrohet pushteti ndërmjet dy palë zgjedhjeve”.
Fjala e plotë e Tahirit:
Sot jemi këtu për të diskutuar gjendjen e shtetit tonë.
Për të diskutuar se ku ndodhet Kosova, çfarë ka arritur, çfarë ka humbur dhe, mbi të gjitha, përse një vend me kaq shumë potencial vazhdon të ecë kaq ngadalë drejt së ardhmes që e meriton.
Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 nuk është dokument i opozitës.
Nuk është hartuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Nuk është shkruar për t’i shërbyer interesit të asnjë partie politike. Është një vlerësim institucional i progresit të Republikës së Kosovës.
Dhe pikërisht për këtë arsye, duhet lexuar me seriozitet dhe me përgjegjësi.
Kur institucionet evropiane evidentojnë mangësi në demokraci, drejtësi, ekonomi dhe funksionimin e institucioneve, përgjigjja e një qeverie serioze nuk mund të jetë arsyetimi.
Duhet të jetë reflektimi.
Nuk mund të jetë propaganda.
Duhet të jetë përgjegjësia.
Në këtë raport ka konstatime që duhet ta shqetësojnë secilin prej nesh.
Komisioni Evropian evidenton paralizën e zgjatur institucionale, dobësimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjen shumë të kufizuar të ekzekutivit.
Këto nuk janë vërejtje teknike.
Këto janë paralajmërime për cilësinë e demokracisë sonë.
Demokracia matet me mënyrën se si ushtrohet pushteti ndërmjet dy palë zgjedhjeve.
Matet me respektimin e Kushtetutës.
Me funksionimin e Kuvendit.
Me pavarësinë e institucioneve.
Dhe me gatishmërinë e shumicës për t’u përgjigjur para qytetarëve.
Një qeveri mund t’i ketë votat për të marrë vendime, por kjo nuk i jep të drejtën ta trajtojë shtetin si pronë politike.
Shumica parlamentare është mandat për të qeverisur.
Nuk është autorizim për të sunduar.
Po ashtu opozita nuk është pengesë për demokracinë.
Opozita është një nga garancitë e saj.
Kosova nuk ka nevojë për institucione që i shërbejnë pushtetit. Ka nevojë për pushtet që u shërben institucioneve.
Raporti konstaton se në funksionimin e gjyqësorit nuk është shënuar progres.
Jo progres i pamjaftueshëm.
Jo progres më i ngadalshëm se pritjet.
Por mungesë progresi.
Për më tepër, raporti paralajmëron për ndikime të padrejta mbi pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit të drejtësisë, përfshirë ndikimet politike dhe ekonomike.
Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve sepse
drejtësia është themeli mbi të cilin qytetari ndërton besimin te shteti.
Një qytetar që nuk beson se do të trajtohet në mënyrë të barabartë para ligjit, nuk mund të ketë besim të plotë as në institucionet që e përfaqësojnë.
Një biznes që nuk beson në sigurinë juridike, heziton të investojë.
Një i ri që sheh se merita nuk vlerësohet, humbet besimin se e ardhmja e tij mund të ndërtohet këtu.
Në luftën kundër korrupsionit, raporti evidenton progres të kufizuar.
Por ka një konstatim edhe më domethënës.
Numri i vendimeve përfundimtare dhe dënimeve për korrupsionin e nivelit të lartë ka rënë.
Ky është një tregues serioz që kërkon analizë dhe veprim institucional.
Si Parti Demokratike e Kosovës kërkojmë që askush të mos jetë mbi ligjin.
As pushteti i sotshëm.
As pushteti i djeshëm.
Asnjë individ dhe asnjë subjekt politik.
Raporti flet edhe për ekonominë.
Dhe këtu, pas çdo vlerësimi teknik, qëndron jeta e përditshme e qytetarëve tanë.
Komisioni Evropian evidenton ngadalësimin e aktivitetit ekonomik, joefikasitetin në menaxhimin e investimeve publike, dobësitë në qeverisjen e ndërmarrjeve publike dhe pjesëmarrjen e ulët në tregun e punës.
Këto janë çështje që prekin mundësitë e një familjeje për të jetuar dinme dinjitet.
Mundësitë e një të riu për të gjetur punë.
Mundësitë e një gruaje për të qenë ekonomikisht e pavarur.
Mundësitë e një ndërmarrësi për të zgjeruar biznesin dhe për të krijuar vende të reja pune.
Dhe këtu qëndron një nga problemet themelore të qeverisjes.
Nuk mjafton të tregosh sa para ka mbledhur shteti.
Duhet të tregosh çfarë vlere ka krijuar shteti me ato para.
Duhet ta dimë që buxheti nuk është sukses në vetvete.
Buxheti është instrument për të prodhuar zhvillim.
Një qeveri nuk duhet të vlerësohet vetëm nga madhësia e arkës publike, por nga cilësia e shërbimeve, investimet e realizuara dhe mundësitë që krijon për qytetarët.
Nëse ekonomia nuk bëhet më konkurruese, nëse investimet nuk realizohen me efikasitet dhe nëse arsimi nuk lidhet me tregun e punës, atëherë nuk kemi ndërtuar një model të qëndrueshëm zhvillimi.
Kemi administruar të tashmen, pa përgatitur mjaftueshëm të ardhmen.
Kosova nuk mund të kënaqet vetëm me administrimin e së tashmes.
Kosova ka nevojë për transformim ekonomik.
Ka nevojë për prodhim.
Për inovacion
Për investime strategjike.
Për energji të qëndrueshme.
Për arsim cilësor.
Dhe për një shtet që është partner i ndërmarrësit, jo pengesë për të.
Në fushën e arsimit, raporti evidenton progres të kufizuar dhe kërkon përmirësimin e cilësisë, përafrimin e arsimit profesional me tregun e punës dhe avancimin e reformave të domosdoshme.
Ky është një problem që nuk mund të trajtohet si çështje e një ministrie të vetme.
Cilësia e arsimit përcakton cilësinë e ekonomisë sonë pas dhjetë apo njëzet vjetësh.
Nëse sot nuk investojmë në dije, nesër do ta paguajmë çmimin në konkurrueshmëri.
Nëse sot nuk investojmë në aftësitë e të rinjve, nesër do të kemi më pak mundësi për zhvillim.
Dhe nëse nuk krijojmë perspektivë reale për gjeneratat e reja, nuk duhet të habitemi kur ato e kërkojnë perspektivën jashtë vendit.
Një shtet që nuk investon seriozisht në të ardhmen e të rinjve të vet, rrezikon ta humbasë pasurinë më të madhe që ka: potencialin njerëzor.
Në këtë raport evidentohet gjithashtu mungesa e progresit në kontrollin financiar dhe në politikën e konkurrencës.
Këto janë dy fusha që duhet të marrin vëmendje të veçantë parlamentare.
Sepse kontrolli financiar ka të bëjë me përgjegjësinë për paranë publike.
Ndërsa konkurrenca ka të bëjë me mundësinë që secili biznes të veprojë në kushte të drejta.
Një ekonomi e lirë nuk mund të funksionojë pa rregulla të barabarta.
Një administratë moderne nuk mund të funksionojë pa profesionalizëm.
Dhe një shtet evropian nuk mund të ndërtohet pa institucione të pavarura.
Këto nuk janë kërkesa të opozitës por janë standarde të qeverisjes demokratike.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Sa I përket integrimit evropian.
Raporti njeh edhe zhvillime pozitive.
Heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës është zhvillim i rëndësishëm.
Ka pasur përparime në fusha të caktuara të sigurisë, bashkëpunimit policor dhe shërbimeve financiare.
Dhe ne nuk kemi asnjë arsye t’i mohojmë këto arritje.
Sepse përparimi i Kosovës nuk është pronë e asnjë partie.
Është interes i përbashkët kombëtar.
Dhe pikërisht për këtë arsye duhet të jemi edhe më kërkues.
Sepse rruga evropiane nuk mund të mbetet vetëm deklarim strategjik.
Ajo kërkon institucione funksionale, reforma të zbatueshme dhe bashkëpunim politik për interesat madhore të shtetit.
Prandaj, integrimi evropian nuk duhet të jetë instrument i garës së përditshme politike.
Duhet të jetë projekt shtetëror që i tejkalon mandatet qeverisëse.
Partia Demokratike e Kosovës nuk është këtu vetëm për t’i numëruar mangësitë e Qeverisë.
Ne jemi këtu për të kërkuar zgjidhje.
Prandaj, kërkojmë që ky Kuvend të ndërmarrë një proces serioz të mbikëqyrjes së zbatimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian.
Kërkojmë një plan konkret reformash, me afate, përgjegjësi institucionale dhe tregues të matshëm.
Kërkojmë raportim të rregullt të Qeverisë para Kuvendit për realizimin e këtyre rekomandimeve.
Kërkojmë depolitizimin dhe profesionalizimin e administratës publike.
Kërkojmë forcimin e pavarësisë së drejtësisë, të institucioneve mbikëqyrëse dhe të organeve rregullatore.
Kërkojmë që politikat ekonomike të orientohen drejt investimeve produktive, konkurrueshmërisë dhe krijimit të vendeve të qëndrueshme të punës.
Dhe kërkojmë që integrimi evropian të trajtohet me seriozitetin që meriton një interes strategjik i Republikës së Kosovës.
Këto nuk janë kërkesa për përfitim partiak.
Janë detyrime që burojnë nga nevoja për një shtet më funksional.
Sot, përballë këtij raporti, pyetja kryesore nuk është se kush do ta fitojë debatin parlamentar.
Pyetja është se çfarë do të fitojë Kosova nga ky debat.
A do të vazhdojmë të arsyetojmë mangësitë?
Apo do t’i korrigjojmë ato?
A do të vazhdojmë ta trajtojmë kritikën si sulm politik?
Apo do ta shohim si mundësi për përmirësim?
A do të vazhdojmë ta masim suksesin me deklarata?
Apo do ta masim me rezultate?
Kosova mundet shumë ma mirë.
Mundet me pas institucione më të forta dhe ekonomi më konkurruese.
Mundet me pas drejtësi më efikase dhe arsim më cilësor.
Dhe mundet të ecë më shpejt drejt familjes evropiane.
Por kjo kërkon një ndryshim themelor në filozofinë e qeverisjes.
Nga propaganda te performanca.
Nga arsyetimi te përgjegjësia.
Nga premtimet te rezultatet.
Të nderuar deputetë,
Kosova është ndërtuar mbi sakrificë, mbi guxim dhe mbi një aspiratë të madhe për liri dhe shtetësi.
Por shteti nuk përfundon me shpalljen e pavarësisë.
Shteti ndërtohet çdo ditë.
Me ligje të drejta.
Me institucione të besueshme.
Me ekonomi që krijon mirëqenie.
Me diplomaci që ndërton aleanca.
Dhe me një politikë që e vendos interesin e Republikës mbi interesin e pushtetit.
Prandaj, mesazhi ynë sot është i qartë:
Ne do të mbështesim çdo reformë që e fuqizon Kosovën.
Do të kundërshtojmë çdo praktikë që i dobëson institucionet e saj.
Dhe do të kërkojmë llogaridhënie për çdo mundësi të humbur për zhvillimin e vendit.
Kosova nuk ka nevojë për një qeveri që shpall veten të suksesshme. Ka nevojë për një qeverisje, suksesin e së cilës e ndiejnë qytetarët.
Raporti i Progresit nuk duhet të mbetet një dokument që debatohet sot dhe harrohet nesër.
Ky raport duhet të bëhet pikënisje për ndryshim.
Sepse Evropa nuk është vetëm destinacioni ynë politik.
Evropa duhet të jetë standardi ynë i përditshëm i qeverisjes.
Dhe në fund, dua ta mbyll me një mesazh:
Nuk është dobësi të pranosh se vendi ka probleme. Dobësi është të kesh përgjegjësinë për t’i zgjidhur dhe të zgjedhësh t’i mohosh.
Kosova meriton më shumë.
Qytetarët tanë meritojnë më shumë.
Dhe ne kemi detyrimin të kërkojmë, të punojmë dhe të kontribuojmë për më shumë.

