Deputeti i PDK’së, Uran Ismaili, tha se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, po promovon njerëz joprofesionistë dhe ata që vjedhin në sistemin shëndetësor të SHSKUK’së.
Ismaili tha se furnizimi me barna është puna më e thjeshtë, por se aty “ka dështim katastrofik”.
Ai tha se nuk është obligim direkt i ministrit Vitia t’i blejë ilaçet, por atë e akuzoi se po i promovon njerëzit që janë “joprofesionalë, neglizhentë, që po e vjedhin sistemin shëndetësor në SHSKUK dhe po i vjedhin si me qenë i shtetit armik dhe jo i vendit tonë”.
“Për këtë ka fakte, janë fakte që mund t’i paraqes”.
Ismaili tha se çdo ditë po dëgjohen raste ku pacientët po i blejnë vetë gjërat elementare. Ai tha se mund të bëhet veç një test i thjeshtë për këtë çështje: t’u kërkohet qytetarëve që të tregojnë se çfarë barna po blejnë nëpër klinikat e QKUK’së apo spitalet rajonale.
“Ka një neglizhencë të madhe këtu dhe natyrisht që këtë e kërkoj prej ministrit se këtu nuk e kemi drejtorin e SHSKUK’së. SHSKUK’ja për momentin është në gjendje katastrofale”.

