Një shërbim thelbësor amerikan i internetit përmes satelitit vazhdon të funksionojë shumë ngadalë, duke ndikuar në aftësinë e Ukrainës për të ndaluar sulmet ruse, ka deklaruar presidenti Volodymyr Zelensky, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.
“Ne presim që këto kufizime të hiqen. Mbrojtja e jetëve njerëzore dhe e infrastrukturës energjetike të Ukrainës në prag të dimrit varet drejtpërdrejt nga kjo,” tha ai.
Çështja që lidhet me shpejtësinë e sistemit “Starshield” – një version i shërbimit “Starlink” për përdorim ushtarak, në pronësi të Elon Musk dhe që i është vënë në dispozicion Ukrainës nga qeveria amerikane – ka qenë temë diskutimi prej javësh.
Zelensky bëri të ditur se u ka kërkuar zyrtarëve “të bashkëpunojnë sa më ngushtë” me qeverinë amerikane dhe kompaninë e Muskut. “Është e rëndësishme të jesh në anën e duhur të historisë,” theksoi ai. BBC-ja u ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë dhe “Starlink”-ut një koment lidhur me këtë çështje.
Ukraina e përdor shërbimin standard “Starlink” për komunikime në fushën e betejës, ndërsa “Starshield” shërben për interceptimin e raketave dhe dronëve në hapësirën ajrore të Ukrainës.
Problemi me kufizimet e shpejtësisë u evidentua për herë të parë në tetor. Kjo çoi në deklarata kontradiktore si nga ana e Elon Muskut, ashtu edhe nga presidenti amerikan Donald Trump.
Musk deklaroi se përgjegjësia i takonte qeverisë amerikane, pasi ajo e kontrollon sistemin “Starshield”; ndërsa Trump e mohoi përgjegjësinë, duke thënë se i kishte kërkuar miliarderit pronar që “ta kthente gjithçka siç ishte më parë”.

