Rrezikimi i Lojërave Mesdhetare, Kurti aludon te Rama: Kush bën mirë s’e ka kollaj të shtyhet me dikë që e bën të kundërtën

by Nexhat

Kryeministri Albin Kurti sot është pyetur në Kuvend për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe për dështimin e mundshëm të tyre.

Fillimisht, Kurti tha se libri me të cilin kanë aplikuar është në shpërputhje me master-planin.

banner

Duke folur për përgjegjësinë e përbashkët me komunat, Kurti tha se ka dallime e mosbesime dhe se organizimi i lojërave është në rrezik.

“Në mbledhjet e Komitetit jemi bashkë. Është për të ardhur keq që kur po përfundojnë mbledhjet, diskutimet shteruese që po mbahen aty, më pas po dalin në opinion kush, qysh votoi dhe me sulme të brendshme. Kjo mungesë e unitetit të brendshëm na ka sjellë në këtë pikë kur po rrezikohet organizimi i lojërave mesdhetare 2030. Unë vazhdoj të jem optimist, por jam optimist i përmbajtur sepse kush bën mirë nuk e ka kollaj të shtyhet me dikë që e bën të kundërtën. Në këtë aspekt, bashkëpunimi me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë tejet i mirë, por kjo nuk mund të thuhet edhe me Komunën e Prishtinës. Prandaj, ndodhemi në këtë situatë”, tha Kurti.

Ai tha se është kundër që plani për këto lojëra të mos jetë gjithëpërfshirës.

“Libri me të cilin kemi aplikuar është shumë i mirë, është gjithëpërfshirës për Kosovën dhe është i ndërtuar mbi bazën e projekteve, të cilat do të ishin të dobishme edhe pas përfundimit të lojërave mesdhetare 2030. Ajo çfarë ka ndodhur është se drafti i master-planit që na ka ardhur neve është në shpërputhje me librin me të cilin ne kemi aplikuar. Kjo diferencë është adresuar në mbledhjen e fundit të Kolmit dhe kemi votuar që kjo të rregullohet, të korrigjohet me shumicë votash, jo në mënyrë unanime. E unë pres nga çdo organ dhe çdo institucion i Kosovës që t’i shtjerrim debatet brenda, mirëpo njëherë kur ta kemi votimin atëherë ta respektojmë atë si vendim meqë shumica e mori një drejtim të caktuar. Por, kjo fatkeqësisht nuk po ndodh. Pra kemi devijim, deformim me draftin e master-planit prej librit me të cilin kemi aplikuar dhe ky devijim përfshin përjashtimin e plotë të rrafshit të Dukagjinit. Unë kam qenë kundër kësaj”.

“S’mund ta paramendoj që garat për xhudo të mos mbahen në Pejë. Ato janë paraparë me u mbajt në Prishtinë. Është e padrejtë. Këtu janë mospajtimet që i kemi. 5 milionë euro i kemi investuar për xhudo në Pejë dhe tash na u dashka që garat për xhudon të mbahen në Prishtinë. Kjo është absurditet. Pra, këto janë mospajtimet që i kemi, që në fakt i kemi sqaruar me shumicë votash në Kolm. Mirëpo, nuk po i mbahen dakordimit që diskutojmë në mënyrë shteruese”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy