Tri hematoma të konstatuara në trupin e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, të cilat dyshohet se mund të jenë shkaktuar para rënies së saj nga kati i gjashtë i hotelit në Fushë-Kosovë, ishin në fokus të seancës së rigjykimit ndaj Endrit Nikës,
Eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, gjatë dëshmisë së tij ka deklaruar se hematomat e evidentuara në trupin e së ndjerës ishin të freskëta dhe se, bazuar në ngjyrimin e tyre, mund t’i përkisnin natës kritike.
Gjatë dëshmisë, Gërxhaliu u pyet edhe nëse Maria Clara kishte qenë e vetëdijshme në momentin kritik, por tha se nuk mund të japë një konstatim të tillë.
“E vetmja dëshmi që përmendet që ajo të ketë komunikuar është dokumenti numër 1 me faqen katër. Në të cilin dokument e përmend se e njëjta nuk i ndjen krahët, është e vetmja dëshmi që mund të them. Sa i përket gjendjes së saj, ka ekzistuar edhe një raport i SHSKUK-së. Nuk është dhënë ndonjë sqarim më i detajuar, nuk mund të konstatoj se e ndjera në momentin kritik a ka pasur vetëdije apo jo”, tha ai.
Ndërkaq, prokurori Armend Hamiti e pyeti ekspertin lidhur me hematomat e konstatuara gjatë autopsisë, llojin e tyre dhe kohën e mundshme të shkaktimit, duke kërkuar të sqarohet nëse të gjitha lëndimet ishin pasojë e rënies nga lartësia.
“Kur ke bërë konstatimin e hematomave, çfarë kanë qenë dhe në çfarë kohe janë shkaktuar, a kanë qenë të gjitha nga rënia nga lartësia?”, pyeti prokurori.
Në përgjigjen e tij, Gërxhaliu tha se të gjitha lëndimet ishin klasifikuar si të freskëta, por veçoi tri prej tyre, të evidentuara në regjionin e gjurit dhe kofshës, të cilat mund të mos lidhen drejtpërdrejt me lëndimet e shkaktuara nga rënia.
“Lëndimet janë klasifikuar në konkluzion, të gjitha janë të freskëta, por pika gjashtë, shtatë dhe tetë janë në regjionet e përshkruara në gjurin e djathtë, në kofshën e djathtë, sipërfaqja e jashtme dhe në sipërfaqe të brendshme në gjurin e majtë e cila mund t’i ekskludoj nga lëndimet tjera të përshkruara të cilat lidhen direkt me shkarkimin e të njëjtave në momentin e rënies”, tha ai.
Për këto tri hematoma, sqarime shtesë kërkoi edhe avokati i palës së dëmtuar, Leutrim Syla, i cili e pyeti ekspertin për ngjyrimin e tyre dhe mundësinë e përcaktimit të kohës së përafërt kur ishin krijuar.
“Pasi që deklaruat se i ekskludoni lëndimet apo hematomat si në pikat 6, 7, 8 dhe i keni klasifikuar si hematoma të freskëta, a mund të na sqaroni ngjyrimin e tyre dhe implikimin e tyre kohor të krijimit që ta kemi më të qartë kohën e përafërt të krijimit të tyre, edhe nëse jo tërësisht të saktë?”, pyeti ai.
Gërxhaliu tha se klasifikimi i tyre si hematoma të freskëta është bërë bazuar në përshkrimin e ngjyrimit, duke shtuar se ato kishin pothuajse të njëjtën ngjyrë me hematomat e evidentuara në pjesën e pasme të trupit.
“Bazuar në përshkrimin e ngjyrimit të hematomave, i kemi klasifikuar si të freskëta dhe se ngjyra e hematomave në pikën gjashtë, shtatë dhe tetë është pothuajse e njëjtë edhe me ngjyrën e lëndimeve të përshkruara në pjesën e pasme të trupit, të cilat gjithashtu janë të shoqëruara edhe me hematomë. Kur them të freskëta, mund t’i takojnë natës kritike”, tha ai.
Seancat e radhës në rastin e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, janë shtyrë për datat 2 dhe 7 dhjetor, me fillim nga ora 13:15.
Në këto dy seanca është paraparë të dëgjohet eksperti Ermal Maqedonci, në kuadër të vazhdimit të shqyrtimit gjyqësor në këtë rast.
Rigjykimi ndaj Endrit Nikës po vazhdon lidhur me akuzën për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray.

