Elez Blakaj, prokurori i cili në vitin 2018 kishte dhënë dorëheqje nga Prokuroria Speciale në Kosovë dhe kishte shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po vijon vërtetë një jetë të re atje.
Blakaj, i cili në Kosovë kishte hetuar disa raste të terrorizmit dhe dyshimet për manipulime me listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është angazhuar në agjencinë amerikane të patundshmërive,JBGoodwin REALTORS, me seli dhe aktivitet kryesor në Teksas të SHBA-së.
Në profilin e tij në agjencinë amerikane të patundshmërive, Blakaj, që paraqitet si “Eli Z.”, iu drejtohet kështu klientëve:
“Përshëndetje dhe mirë se vini! Unë jam Elezi dhe do të jem i lumtur t’ju takoj dhe t’ju shërbej për të gjitha nevojat tuaja në fushën e patundshmërive! Para se të bëhesha agjent i patundshmërive, kam kaluar shumë vite duke shërbyer në sektorin publik, në fushën e sundimit të ligjit. Kam përfunduar Fakultetin Juridik dhe kam diplomë master në Drejtësi Penale nga Universiteti Wake Forest në Karolinën e Veriut. Pasionet e mia në jetë janë arti dhe sporti!”
Aty, ai tregon edhe për familjen e tij.
“Unë dhe bashkëshortja ime e mrekullueshme jemi të martuar të lumtur prej 20 vitesh dhe kemi dy fëmijë të mrekullueshëm. Familja jonë kënaqet duke kaluar kohë në natyrë, duke luajtur sporte të ndryshme, si dhe duke udhëtuar e vizituar vende të ndryshme!”
Si agjent i patundshmërive, Elez Blakaj thotë se gjithmonë e njeh dhe e vlerëson besimin që klientët e kanë tek ai dhe çdo ditë përpiqet “t’i tejkaloj pritshmëritë e tyre”.
“Qoftë për shitjen, blerjen, dhënien me qira apo mundësitë e investimit në patundshmëri, do t’i vë në shërbimin tuaj përvojat e mia jetësore, vlerat dhe përkushtimin në punë, për t’ju udhëhequr gjatë gjithë procesit dhe për t’ju ofruar shërbim të ndershëm dhe profesional”, thuhet aty.
Blakaj u thotë klientëve të mos hezitojnë ta kontaktojnë për çdo pyetje apo ndihmë që mund t’u nevojitet lidhur me patundshmëri, duke vënë në dispozicion e-mailin e tij dhe numrat e telefonit.
Elez Blakaj e kishte lënë detyrën e prokurorit në Kosovë dhe kishte shkuar në SHBA me arsyetimin se mbi të ishin bërë presione dhe se ishte kërcënuar.

