Për shkak se mbrojtja nuk u pajisë me kopje të fjalës përfundimtare të prokurorit, u ndërpre seanca ndaj ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj e të tjerëve.
Në këtë rast, për korrupsion për shkak të shpronësimeve dhe shpalljes së ‘Zonës ekonomike” të Malishevës po akuzohen ish-kryetari i Malishevës, Ragip Begaj bashkë me ish-ministrin Bajram Hasani e zëvendësministrin Faton Thaqi. Pjesë e aktakuzës për korrupsion janë edhe Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi.
Ndërsa, Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.
Propozimi për ndërprerje të seancës fillimisht erdhi nga mbrojtësi të akuzuarit Malë Krasniqi, avokati Emrush Kastrati, pas elaborimit të fjalës përfundimtare nga prokurori Naim Abazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ky propozim u përkrahë nga të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve.
Madje, nga mbrojtja kishte pretendime edhe se në fjalën përfundimtare prokurori ka folur edhe për veprimet e të akuzuarve të cilat sipas tyre nuk janë fare në aktakuzë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Hasani, avokati Ymer Huruglica tha se prokurori ka dalë jashtë periudhës për të cilën po akuzohet i mbrojturi i tij.
“Unë konsideroj shumë të rëndësishme që të na dorëzohet fjala përfundimtare që të deklarohemi rreth këtij fakti”, tha ai.
Prokurori Abazi para elaborimit të fjalës përfundimtare dorëzoi një kopje të saj tek trupi gjykues, mirëpo tha se për shkaqe teknike nuk ka mundur që nga një kopje teknike të sjellë edhe për mbrojtjen, duke shtuar që të njëjtëve do ua dorëzoj përmes email-it.
Ndërkaq, nga prokurori Abazi këto propozime të mbrojtjes u quajtën joprofesionale, pasi sipas tij fjala përfundimtare e ka rrjedhën e vet.
“Është joprofesionale nga ana e mbrojtjes që të kërkohet të shtyhet seanca për shkak që se kanë fjalën përfundimtare të prokurorit, kur një dokument i tillë i është dorëzuar gjykatës, është pjesë përbërëse e procesverbalit, u elaborua para mbrojtësve këtu”, tha prokurori Abazi.
Pas këshillimit, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Vesel Ismaili ka aprovuar propozimin për ndërprerje të seancës.
Gjykatësi Ismaili bëri të ditur se kjo nuk është që ka bazë ligjore, por për shkak se fjala përfundimtare e prokurorit ishte voluminoze.
Gjithashtu, ai njoftoi se kanë filluar që të bëjnë kopje këtë fjalë përfundimtare, mirëpo se nuk kanë mundur të bëjnë më shumë se katër të tilla.
Ndryshe, prokurori Abazi gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare ka folur për veprimet e secilit të akuzuar, duke kërkuar nga gjykata që t’ua fal besimin aktakuzës dhe provave që i ka sjell prokuroria.
Kurse, kërkoi që të mos ua fal besimin asnjë prove të siguruar nga ana e mbrojtjes.
Për procesin e krijimit të zonës ekonomike në Malishevë, mes tjerash prokurori Abazi tha se shihet qartë është proces i manipuluar që nga fillimi, e që sipas tij qëllimi ka qenë tek privatizimi
I njëjti propozoi që të akuzuarit të dënohen dhe të marrin dënim meritor, si dhe konfiskimin e pronave, për zonën kadastralë në Lladrovc, Banjë, Bellanicë, për të cilat tha se janë sekuestruar me vendimin e kësaj gjykate.
Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtarë”.
Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.
Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.
Sipas aktit akuzues, Bashkim Krasniqi në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaqi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit
Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Malë Krsaniqi, pasi e kishte ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari, duke qenë në dijeni se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, e ku çmimi do të ishte shumë më i lartë.
Sipas aktakuzës i akuzuari Nazmi Kafexholli, akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, dhe me qëllim që t’i rrit vlerën tokës, kishte marrë me qera pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte për çka kishte përfituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë.
Tutje, sipas aktit akuzues, Ahmet Rrahmanaj nga viti 2007 deri më 2013 në vazhdimësi duke e ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, ka transferuar dhe njëkohësisht ka tentuar të transferojë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe shmangies nga pasojat juridike.
Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Neëco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shitblerjes që kishte ndodhur në vitin 2007