Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike, Muhamet Hamiti ka publikuar një faqe të revistës së përjavshme gjermane “Der Spieger”, për të cilën kryetari historik i kësaj partie dhe udhëheqësi i shqiptarëve, Ibrahim Rugova kishte dhënë intervistë si sot 35 vjet më parë.
Më 26 qershor, 1989, Rugova i thoshte mediumit gjerman se “Serbët po vijnë sërish si hakmarrës”, siç ishte edhe titulli i intervistës.
Rugova, atëherë 44 vjeç, sapo ishte bërë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Thoshte se “nëse Serbia përpiqet edhe më tutje ta shtypë indetitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë kryengritje”.
“Unë vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: edhe ata janë popull i vogël. Në të kaluarën kur në popull i vogël është përpjekur të sillet si hegjemon në Ballkan, kjo përherë ka përfunduar me tragjedinë e këtij populli”.
“Ia vlen të lexohet e rilexohet kjo intervistë për ta njohur Ibrahim Rugovën dhe trashëgiminë e tij, që është në themelet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”, shkroi Hamiti.
Postimi i plotë i Muhamet Hamitit:
35 vjet nga intervista e Ibrahim Rugovës për “Der Spiegel”: “Serbët po vijnë sërish si hakmarrës”
Dr. Ibrahim Rugova, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ishte bërë në pranverën e vitit 1989, në kohën e heqjes së dhunshme të autonomisë së Kosovës në ish-Jugosllavi, njeriu që me guxim e kundërshtoi këtë agresion të Serbisë së Millosheviqit kundër shqiptarëve dhe Kosovës.
Në fillim të verës së atij viti, në një intervistë për magazinin politik gjerman “Der Spiegel” (datë 26 qershor 1989), shkrimtari shqiptar 44-vjeçar alarmonte se serbët po ktheheshin sërish si hakmarrës (Die Serben kommen als Rächer wieder), siç titullohej intervista e Dr. Rugovës në vigjilje të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, që Millosheviqi do ta shpallte në Gazimestan të Prishtinës si fillim të luftërave të reja për ta kthyer fitoren e qiellit në fitore të tokës për serbët. Ishte shpallje e projektit të Serbisë së Madhe efektivisht, që solli luftërat në ish-Jugosllavi, në Slloveni (për shkurt), në Kroaci, në Bsonjë dhe, në fund, në Kosovë, aty ku edhe e kishte lansuar projektin famëkeq ai që do të njihet si Kasapi i Ballkanit.
Nga fillimvera deri në fillimdimrin e vitit 1989, për gjashtë muaj, Dr. Ibrahim Rugova, doli e u bë prijës i pashpallur i popullit të Kosovës, në kohën kur vendi kishte mbetur pa krye: pa asnjë strukturë udhëheqjeje, pa asnjë ide për udhën që duhej marrë ndërkohë që shpërbëhej ish-Jugosllavia dhe binin kambanat e luftës. Më 23 dhjetor 1989, Dr. Rugova u bë prijësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë anti-komuniste shqiptare në kohën kur sapo kishte rënë Muri i Berlinit. U bë pastaj prijësi i lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci të Kosovës. U zgjodh katër herë President i Kosovës, më 1992, 1998, 2002 dhe 2004. Vdiq më 21 janar të vitit 2006
Për t’u kthyer te intervista e Ibrahim Rugovës që pa dritën si sot, para 35 vjetësh, më 26 qershor 1989. Çka thoshte ai, shkrimtari 44-vjeçar i Kosovës? Esencën e thotë titulli i intervistës: “Serbët po vijnë sërish si hakmarrës”. Njeriu i guxmishëm dhe largpamës, intelektuali Ibrahim Rugova u përgjigj në fund të intervistës, në pyetjen e magazinit “Der Spiegel” se a mund të zgjidhet në mënyrë paqësore mospajtimi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, me këto fjalë profetike: “Nëse Serbia përpiqet edhe më tutje ta shtypë indetitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë kryengritje. Unë vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: edhe ata janë popull i vogël. Në të kaluarën kur në popull i vogël është përpjekur të sillet si hegjemon në Ballkan, kjo përherë ka përfunduar me tragjedinë e këtij populli.” [“Veç pavarësi, asgjë më pak”, Ibrahim Rugova në shtypin gjermanofon (1989-2006), përktheu Enver Robelli, Koha, Prishtinë, 2015].
Ia vlen të lexohet e rilexohet kjo intervistë për ta njohur Ibrahim Rugovën dhe trashëgiminë e tij, që është në themelet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.