Kolosi i letrave shqiptare, Ismail Kadare është ndarë sot (e hënë) nga jeta në moshën 88 vjeçare.
Kadare 17 vite më parë më 2007 kishte dhënë një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pikërisht një vit para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës
Në këtë intervistë Kadare kishte trajtuar disa çështje kyçe lidhur me statusin e Kosovës dhe situatën në Ballkan.
Ai ishte shprehur kundër ndarjes së Kosovës, duke e konsideruar atë një pazar të pa pastër që do të hapte konflikte të reja dhe të pambarueshme në Ballkan, me pasoja të rënda për popujt e rajonit dhe për Evropën.
“Kjo ndarje është një pazar jo i pastër dhe po them me përgjegjësi të plotë, kjo ndarje do të hapi radhën e një konflikti të ri të pambarueshëm në Ballkan. Do të hapi vatra sherresh, grindjesh të cilat do të kushtojnë jashtëzakonisht shtrenjtë popujve këtu dhe Evropës bashkë. Prandaj kjo nuk e zgjidhë, kjo nuk e mbyll, kjo hap një konflikt të ri të tmerrshëm”, kishte deklaruar Kadare më 2007
Autori i shumë librave, kishte theksuar se liria e popullit të Kosovës është çështje themelore dhe nuk duhet të jetë objekt negociatash.
“Populli i Kosovës ka të drejtë të përgjigjet me të gjitha opsionet. Nuk bëhet lëshim kur është fjala për lirinë e një populli. Nuk ka negocim për këtë gjë. Ky popull ka të drejtë me të gjitha mënyrat të kërkoj lirinë e vet. Ta mbrojë deri në fund lirinë e vet”, ishte shprehur Kadare.
Kadare kishte kritikuar Evropën për përkëdheljen e Serbisë, duke theksuar se Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e kryera.
Ai gjithashtu kishte kritikuar Shqipërinë për qëndrimin e saj ndaj Kosovës duke theksuar se Shqipëria duhet të angazhohet më fuqimisht në mbrojtjen e çështjes së pavarësisë së Kosovës.