Hovenier: Presim nga Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë pa parakushte dhe urgjentisht obligimet nga dialogu

by Nexhat

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova dhe nga Serbia t’i zbatojnë pa parakushte dhe me urgjencë të gjitha detyrimet që i kanë pranuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne presim nga Kosova dhe nga Serbia që t’i përmbushin të gjitha detyrimet që i kanë pranuar në dialog, përfshirë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit dhe ta bëjnë këtë me urgjencë, pa parakushte dhe pa i lidhur ato me çështje të jashtme”, tha Hovenier për Rubikon në Klan Kosova.

banner

Kosova dhe Serbia e arritën Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve në fillim të vitit 2023, por ajo nuk ka gjetur zbatim nga asnjë palë deri tani.

Takimi i kësaj jave mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes, nuk solli rezultat. Kosova e akuzoi palën serbe se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa Serbia e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është pjesë e akordit

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Bruksel për dialogun i vuri tri kushte për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq: nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatonte marrëveshjen me Kosovën, dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë.

Vuciq nuk i pranoi kushtet e tij dhe takimi dështoi.

I pyetur për këtë, Hovenier tha se Marrëveshja Bazë është “plotësisht zyrtare” pavarësisht se nuk është nënshkruar nga palët. BE-ja ka thënë gjithashtu se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme.

“Kjo është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për të dyja vendet. Ky është qëndrimi ynë. Kështu e trajtojmë ne. Dhe ne presim nga të dyja vendet ta zbatojnë atë”, theksoi Hovenier.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara besojnë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë rezultati përfundimtar i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur më 2011

“Mendoj se ka disa njerëz në Kosovë që brengosen kur ne themi ‘normalizimi i marrëdhënieve’, kjo nuk është diçka që kërkohet përfundimisht. Sepse, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ka qenë i qartë në mënyrë dypartiake. Shtetet e Bashkuara besojnë se rezultati përfundimtar i këtij procesi mund të jetë vetëm njohja e ndërsjellë”, shtoi ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy