PDK dhe VV kanë lëshuar sot seancën e Kuvendit Komunal në Prishtinë, pasi në rend të ditës u vendos Plani Zhvillimor Komunal.
Pas kësaj, ka reaguar kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se ky bojkot është në dëm të qytetarëve të kryeqytetit
“VV dhe PDK u bënë bashkë për të bllokuar vënien në diskutim publik të Planit Zhvillimor të Prishtinës, i cili është dokumenti më i rëndësishëm për zhvillimin e Kryeqytetit për periudhën 2024 – 2032. Ky bojkot nga VV dhe PDK, është në dëm të qytetarëve të Prishtinës sepse ua pamundëson të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese për kontribut në këtë dokument të rëndësishëm.”
Ai i ka falënderuar përfaësuesit e LDK’së, AAK’së, NISMA’s dhe Lëvizjes për Bashkim “për përkrahjen e vazhdueshme në zhvillim të Kryeqytetit”.
Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media ka thënë se është kundër një plani të tillë, ndërkohë nga PDK kanë thënë se e konsiderojnë në kundërshtim me ligjin “Planin Zhvillimor Komunal”.
“Ky plan ka të meta. Përcakton zhvillimin e Prishtinës për 10 vjetët e ardhshme. Plani i propozuar është marrë në dyer të mbyllura. Dokumenti si i tillë është joligjor, për arsye që nuk ka kaluar ligjshmërinë nga organi kompetent qe është Ministria. Plani është nga qeveria e Shpend Ahmetit, dokumenti si i tillë i sjellë këtu ka pasur devijime. Pra jemi duke folur për një dokument qe ka një mori shkeljesh procedurale dhe ligjore. Plani Zhvillimor Komunal është bërë pa analizë paraprake. Vijat ndërtimore pa analizë, hartat ekzistuese nuk janë më përputhje me standardet vendore dhe urbane. Prandaj ne si grup i këshilltarëve qëndrojmë kundër këtij plani te paligjshëm”, ka thënë Retkoceri para se të dy partitë opozitare të dalin nga seanca