Plani Zhvillimor i Prishtinës 2024-2032 ka dështuar të hidhet në votim në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të kryeqytetit.
Plani hasi në kundërshtimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, por jo edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili kishte tentuar që përmes këtij plani ta jetësojë idenë e tij për ndërtimet e larta vetëm në 15 hektarët e pronës publike rreth Stacionit të Autobusëve, ka akuzar rëndë PDK-në dhe VV-në që nuk i dhanë përkrahje.
Kjo pasiqë ishin PDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje, partitë që e bojoktuan seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku edhe ishte paraparë votimi i planit në fjalë
Shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka thënë se edhe Ministria e ka kundërshtuar një plan të tillë.
“Ky plan ka shumë të meta përmbajtjesore. Për pak muaj do të hyjmë në vitin e fundit te mandatit të Ramës. Një person që në praktikë e ka dëshmuar që nuk ua do të mirën qytetarëve. Kjo qeverisje e ka pasur kohën e mjaftueshme për ta bërë një plan të mirëfilltë, por është dashur te merret me kontrata të paligjshme. Ministria e ka kundërshtuar një plan të tillë. Duhet t’ia bëjmë me dije LDK-së që jo çdo gjë blihet me pare, sepse ka parime dhe qëndrime në funksion të qytetarëve. Qytetarët nuk ia kanë borxh një plan kundërligjor”, u shpreh Sveçla.
Asamblistja e VV-së, Nora Kelmendi, ka theksuar se plani që kanë marrë është i mangët si dokumentacion, ndërsa thekson se edhe pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë minimale.
“Plani i dërguar te ne është i mangët si dokumentacion, pra mungon analiza dhe krahasimi. Draftraporti i planifikimit strategjik është i vitit 2021. Kjo na fyen sepse kryetari po na sjell plane të vjetra. Pjesëmarrja në takime me qytetarët ka qenë minimale. Më shumë ka pasur kabinet të kryetarit sesa qytetarë. Këtë plan, iu bëjmë thirrje subjekteve të tjera të mos e mbështesin, mos lejoni të përsëritet Badoci. Ky kryetar është turpi i qytetit”, ka thënë ajo.
Ideja e Ramës nuk u mbështet as nga Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës e cila kishte kërkuar që plani zhvillimor të bëhej për gjithë Prishtinën përfshirë edhe zonat rurale si dhe të jetë në përputhje me legjislacionin dhe në dispozicion të publikut.
Të nëjtin qëndrim e ka ndarë edhe asamblisti i PDK-së, Leotrim Retkoceri i cili e ka cilësuar si “joligjor” krejt Planin Zhvillimor Komunal 2024-2032.
Sipas tij, ai është trajtuar nga një grup njerëzish në krye me Ramës dhe se ky plan ka shkelje jo vetëm procedurale por edhe ligjore.
“Kalimi i planit zhvillimor komunal 2024-2032 për diskutim publik dhe propozimin për ndryshimin e parcelimit dhe ndërtimin e destimimit të 200 hektarëve tokë në planit rregullues të Prishtina e re zona perëndim. Grupi I këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin e Prishtinës ka gjetur se ky plan ka të meta ligjore dhe procedural dhe është trajtuar nga një grup njerëzisht në krye me Përparim Ramën që plani zhvillimor të kryeqytetit e trajton si plan për biznes dhe grupit të interesit. Plani zhvillimor komunal përcakton zhvillimin e Prishtinës për 10 vitet e ardhshme. Ky plan duhet të bëjë vendin më të jetueshme por në realitet plani i propozuar është përpiluar pa transparencë ku janë kontrabantuar interesa individuale biznesore në dëm të interesit publikë të kryeqytetit”, tha Retkoceri.
Tutje, ai tha se ky plan është i dëmshëm për kryeqytetin sepse sipas tij ka pasur ndryshime dhe devijime të mëdha nga dokumenti i hartuar nga ish kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Ky plan është i dëmshëm, është përgatitur nga një grup njerëzisht në krye me Përparim Rama ku është duke hetuar nga Prokuroria Speciale, ky dokument është jo ligjor për të hapur si diskutim dhe votim për arsye se nuk e kaluar vlerësimin nga organi kompetentë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, pra mundon dokumenti i vlerësimi strategjik mjedisor. Plani I vlerësimi strategjik hapësinor që e ka prezantuar Përparim Rama I takon një dokumenti tjetër që i hartuar nga Shpend Ahmeti e cila ishte e paligjshme, edhe pse ministria kishte gjetur përlot 28 shkelje ligjore. Dokumenti zhvillimor komunal si i tillë i sjellë para asamblistëve ka pasur ndryshime dhe devijimi të mëdha nga dokumenti i bazuar në qeverisjen e Shpend Ahmeti, po flasim për një dokument që nuk është hartuar nga kjo qeverisje, ka një mori shkelje procedurale dhe ligjore lidhur me krejt procesin dhe përmbajtjen e dokumentit”, tha ai.
PDK-ja në Prishtinë mes tjerash rekomandon që plani zhvillimor i kryeqytetit duhet anuluar sepse ka shkelje të pa tolerueshme.