Ambasadori hungarez në Kroaci i del kundër Serbisë, ia kujton detyrimet në rrugën drejt BE-së dhe fqinjësinë e mirë

by Nexhat

Gjatë presidencës së BE-së, Hungaria do t’i “rikujtojë” Serbisë se duhet të përmbushë standardet europiane në rrugën drejt anëtarësimit, e cila përfshin marrëdhënie të mira fqinjësore, tha sot ambasadori hungarez në Kroaci, Çaba Demçak.

Demçak mori pjesë në seancën e Komisionit parlamentar për Çështje Europiane, ku prezantoi prioritetet e Hungarisë për presidencën gjashtëmujore të BE-së, e cila filloi më 1 korrik, raporton Hina,

Deputeti i Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) në pushtet, Andro Krstulović Opara, e pyeti ambasadorin nëse gjatë asaj periudhe kryeministri hungarez Viktor Orban do ta përdorte miqësinë e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për t’i bindur ata që të jenë më të orientuar drejt Europës dhe më pak drejt eksportimit të “botës serbe” në rajon.

Ambasadori i Hungarisë, i cili është një mbështetës i madh i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, tha se gjatë Presidencës, Budapesti do të ketë më shumë mundësi për të biseduar me të gjitha vendet kandidate dhe për t’u kujtuar atyre detyrimet e tyre nëse synimi i tyre është integrimi europian.

“Atëherë ata duhet të përmbushin standardet europiane dhe kjo përfshin marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, sepse kjo është një nga vlerat themelore të BE-së”, tha ai.

Vendet e rajonit shpesh e akuzojnë Beogradin se po eksporton destabilitet në rajon, raporton medium kroat.

Rasti i fundit i tillë ishte votimi i rezolutës për Jasenovacin në Podgoricë, vendim i partive proserbe në Mal të Zi si përgjigje ndaj rezolutës për Srebrenicën në OKB. Elita politike kroate, por edhe politikanët malazezë, e vlerësuan si një përpjekje të Serbisë për të përkeqësuar marrëdhëniet midis Zagrebit dhe Podgoricës dhe rrugën europiane të Malit të Zi, vendit që është më afër anëtarësimit në BE.

Opara e pyeti gjithashtu ambasadorin për udhëtimet e fundit të Orban në Kiev, Moskë dhe Pekin.

Kryeministri hungarez ndodhet sot në Uashington për samitin e NATO-s.

Demçak tha se Budapesti po udhëheq një “lloji të ri diplomacie” që “hapet globalisht ndaj të gjithë faktorëve politikë”. Ai theksoi se çështjet e vështira nuk duhet të shmangen, por duhet të adresohen drejtpërdrejt dhe se për këtë arsye biseda nuk ka alternativë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy