Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, ka thënë se Kosova nuk po refuzon në asnjë rast zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe.
Por, siç thotë Osmani gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, që Asociacioni është në kuadër të një procesi – dhe ai proces është marrëveshja bazike.
Tutje, Kosova ka thënë se Kosova ka të drejta të avancuara për komunitetet joetnike, duke e pasur theksin te ai serb.
Sipas saj, qytetarët serbë të Kosovës nuk përfitojnë nga Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Dikush tjetër përfiton, sipas Osmanit, ata do të ishin krerët e Asociacionit të cilët do të kontrolloheshin.
Ky kontroll siç deklaron Osmani vjen nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq – që ka një qëllim, ‘ta bëjë Kosovën jofunksionale”.
“Natyrisht që i takon Kosovës që të ndërmarrë hapa për Asociacionin, dhe i takon Serbisë që të ndërmarrë hapa drejt njohjes defacto. Të dyja janë në marrëveshjen e njëjtë. Ne nuk mund t’i injorojmë nenet 1 deri në 6 e të kthehemi te neni 7 e të kërkojmë vetëm zbatimin e një neni, Kosova nuk po thotë që nuk do të formohet Asociacioni”.
“Raport me qytetarët tanë ne nuk do të duhej ta krijojmë përshtypjen që Asociacioni i ndihmon qytetarëve serbë. Në fakt sistemi më i avancuar i të drejtave të pakicave ekziston në Republikën e Kosovës me kushtetutën aktuale, me ligjet e Pakos së Ahtisarit dhe me ligjet që i kemi miratuar si rezultat i marrëveshjeve të dialogut. Me Asociacionin ju siguroj një gjë vetëm sa pakësohen të drejtat e qytetarëve dhe fuqizohen një lloj pushteti mbi ta, pra liderët e Asociacionit të cilët Vuçiqi për momentin e ka për qëllimin t’i kontrollojë dhe ta bëjë Kosovën shtet jofunksional”.
“Asociacioni nuk ju jep më shumë të drejta qytetarëve serbë, por përkundrazi merr më shumë të drejta nga poshtë dhe i dërgon lartë që është edhe në kundërshtim me parimet bazike të Këshillit të Evropës sipas të cilës për t’i fuqizuar komunitetet pakicë duhet të ketë më shumë sovranitet nga lartë-poshtë, dhe jo e kundërta, Asociacioni e arrin të kundërtën”, ka thënë Osmani.
“Ne kemi dhënë premtimin dhe Kosova është shtet serioz, kur ndërmerr një detyrim ndërkombëtar duhet ta zbatojë atë, por zbatimi i Asociacionit është kuadër të një procesi dhe ai proces është marrëveshja bazike”, ka deklaruar ajo.