Aventura e tre skuadrave shqiptare në Conference League nisi të enjten në mbrëmje, aty ku Partizani, Vllaznia dhe Tirana zhvilluan takimet e para të raundit të parë kualifikues për këtë kompeticion. 3 barazime për skuadrat tona në ndeshjet e para, kur nëse për Vllazninë edhe Tiranën mund të konsiderohen si rezultate pozitive barazimet e arritura në transertë, skuadra që nuk bindi nga 3 skaudrat shqiptare ishte Partizani.
Nënkampionët nuk shkuan më shumë se sa barazimi 1-1, ndaj maltezëve të Marsaxlokk, në sfidën e luajtur në Elbasan Arena. Megjithëse skuadra e Shehit kaloi e para në avantazh që në minutën e 2-të me Muratajn, të kuqtë pësuan shumë shpejtë golin e barazimit dhe e kishin të pamundur të realizon golin e epërsisë sërish në minutat e mbetura të takimit. Gjithsesi tekniku Shehi pavarësisht barazimit, deklaroi në fund të ndeshjes se të kuqtë do të tentojnë kualifikimin në Maltë
Ndryshe diskutimi për Tiranën dhe Vllazninë. Bardh e blutë në ndeshjen e parë zyrtare me Bledi Shkëmbin trajner, janë një skuadër e re e formuar rishtazi këtë verë, por gjithsesi arritën të merrnin një barazim 1-1 në Gjeorgji ndaj skuadrës vendsase të Torpedo Kutaisi. Pjesa e dytë ishte shumë e mirë për të besuarit e Shkëmbit që gjetën golin e barazimit 3 minuta nga fundi i kohës së rregullt me Rimal Haxhiu, pas një diagonaleje shumë të bukur.
Ndërkohë më spektakolare ishte ndeshja e Vllaznisë, në transfertën islandeze ndaj Valurit. Vendasit kaluan që në fillim të lojës në avantazh, por ishin shkodranët më pas që dominuan lojën, duke përmbysur shifrat, fillimisht me golin e barazimit të Ardit Krymit në pjesën e parë dhe më pas 5 minuta nga fundi i sifdës me golin e Dodaj. Islandezët barazuan në minutën e 9-të të shtesës. Vlen për t’u nënvizuar kartoni i kuq i Deliut në minutën e 82-të, si dhe niveli i arbitrimit që linte për të dëshiruar në shumë momente në këtë sfidë.
Ndeshjet e kthimit do të zhvillhen të enjten e ardhshme, në date 18 Korrik