Kryeministri Albin Kurti ka përmendur sot Shefin e Stafit, Luan Dalipin, në fjalimin që mbajti në konferencën e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku u prezantuan rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se “statistikat janë si ai shoku apo ajo shoqja që ju tregon që keni shtu peshë – ndoshta nuk dëshironi ta dëgjoni, por është e rëndësishme për shëndetin tuaj”. Ai zbuloi se këtë pjesë të fjalimit ia ka shkruar Dalipi, të cilin e ngacmoi pak duke thënë se dukshëm e ka bërë nga përvoja personale, .
“Në demokraci, marrja e vendimeve politike duke u bazuar në dëshmi (d.m.th. në statistika) është shumë me rëndësi për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie. Statistikat janë si ai shoku apo ajo shoqja që ju tregon që keni shtu peshë – ndoshta nuk dëshironi ta dëgjoni, por është e rëndësishme për shëndetin tuaj! Të them të drejtën kjo fjali kur e pashë në fjalim nuk m’u duk fort e përshtatshme, por vendosa ta lexoj meqenëse e ka shtuar shefi i stafit tim, Luan Dalipi dhe qartazi, dukshëm këtë e ka bërë nga përvoja e tij personale”, tha Kurti, deklaratë që nxiti të qeshura.
Fjalimi i plotë:
Realizimi i regjistrimit të popullsisë ishte një nga projektet më me prioritet të Qeverisë së Republikës së Kosovës gjatë këtij viti, duke marrë parasysh rëndësinë e të dhënave në kohë si dhe raundin e regjistrimeve globale (2015-2024), ku edhe Kosova do të jetë pjesë e këtij zhvillimi.
Ky regjistrim nuk është thjesht një ushtrim statistikor; është një reflektim i përkushtimit tonë për të kuptuar dhe adresuar nevojat e popullatës sonë – duke siguruar si shpërndarje të barabartë të burimeve po ashtu edhe hedhje të bazave për vendimmarrje të informuar që do të formësojë të ardhmen e Kosovës.
Në një mënyrë, statistikat e mirëfillta janë si GPS-i për të ardhmen e vendit tonë. Me të dhëna të sakta jemi të sigurt se nuk do ta humbim rrugën dhe do ta gjejmë destinacionin tonë. Përndryshe, pa to, do të përfundojmë duke bërë rrotullime e zig-zage, e rrjedhimisht të humbim resurse të vlefshme
Rezultatet e një procesi të regjistrimit me karakteristikat e tyre që përfshijnë shtrirjen gjeografike, demografike, sociale dhe ekonomike, madhësinë dhe përbërjen e ekonomive familjare, kushtet e jetesës, nivelin e edukimit etj., duke filluar nga zonat më të vogla ose nëngrupet e popullsisë, e bëjnë unik dhe të vetëm regjistrimin. Nxjerrja e të dhënave të shumta, të plota dhe të sakta do t’u mundësojë të gjithë shfrytëzuesve dhe vendimmarrësve, duke filluar nga niveli lokal e qendror, por edhe për organizatat donatore e investitorët prospektivë për orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët. Pa të dhëna të sakta, pra, pa statistika cilësore edhe vendimet mund të jenë të pasakta dhe jo cilësore. Statistikat janë një e mirë publike dhe duhet përdorur për marrjen e vendimeve bazuar në dëshmi. Në demokraci, marrja e vendimeve politike duke u bazuar në dëshmi (d.m.th. në statistika) është shumë me rëndësi për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie.
Statistikat janë si ai shoku apo ajo shoqja që ju tregon që keni shtu peshë – ndoshta nuk dëshironi ta dëgjoni, por është e rëndësishme për shëndetin tuaj! Të them të drejtën kjo fjali kur e pashë në fjalim nuk m’u duk fort e përshtatshme, por vendosa ta lexoj meqenëse e ka shtuar shefi i stafit tim, Luan Dalipi dhe qartazi, dukshëm këtë e ka bërë nga përvoja e tij personale.
Qeveria e Kosovës, së bashku me Agjencinë e Statistikave të Kosovës, gjatë kësaj kohe bashkërenduan aktivitetet dhe pothuajse të gjitha kërkesat e ASK-së drejtuar Qeverisë u aprovuan në kohë, gjë që mundësoi një rezultat të tillë të suksesshëm. Unë jam krenar si kryeministër i Republikës së Kosovës, për përkushtimin dhe angazhimin e treguar nga të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces. Pra, ky regjistrim i popullsisë, është edhe shembull i bashkëpunimit dhe harmonisë të të gjithë këtyre njerëzve që morën pjesë bashkë në një proces kaq të rëndësishëm për vendin tonë për të ardhmen tonë.
Unë personalisht, në një periudhë të shkurtër kohore (brenda 6 muajve) kam vizituar disa herë ASK-në për të parë nga afër përgatitjet e nevojshme, për të inkurajuar dhe për të ofruar mbështetjen time personale.
Institucionet ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian (BE), Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore, USAID etj. bazohen në të dhëna statistikore për të marrë vendime të informuara porsi qeveria edhe institucionet e tjera të shtetit. Këto të dhëna grumbullohen zakonisht nëpërmjet regjistrimeve të popullsisë, të cilat sigurojnë një bazë të fortë për analizë dhe planifikim strategjik.
Kosova luan një rol të rëndësishëm në aktivitetet e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor dhe është një partner aktiv në punën e organizatave ndërkombëtare. Duke marrë pjesë në iniciativa të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, Kosova kontribuon në përmirësimin e cilësisë dhe krahasueshmërisë së të dhënave statistikore. Ky angazhim jo vetëm që e përmirëson politikëbërjen e brendshme, por edhe rrit integrimin dhe besueshmërinë e vendit tonë në arenën ndërkombëtare
Përmes këtyre bashkëpunimeve, Kosova përfiton nga shkëmbimi i informacionit dhe përvojave më të mira, duke forcuar kapacitetet e saj institucionale dhe duke siguruar që të dhënat e saj të jenë të krahasueshme me ato të vendeve të tjera. Kjo është thelbësore për tërheqjen e investimeve, për hartimin e politikave efektive dhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social.
Një agjenci e fuqishme e statistikës, e cila ofron të dhëna të besueshme dhe statistika të azhurnuara, është një aset i çmuar për vendin. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, e rikonfirmoj përkushtimin tim dhe të Qeverisë për komunikim të hapur, bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim të përkushtuar, me qëllim që ta bëjmë Kosovën një vend lider në mbledhjen, analizën dhe shfrytëzimin e të dhënave statistikore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Ju falemnderit për punën e madhe që keni bërë dhe për vëmendjen tuaj sot!