Skuadrat kosovare në hendboll në konkurrencën e femrave do të marrin pjesë në garat evropiane.
Istogu si kampion i Kosovës, Samadrexha dhe Ferizaj janë tre skuadrat kosovare që do të marrin pjesë në garat evropiane dhe tanimë kanë mësuar emrat e kundërshtarëve të tyre
Istogu përballet me skuadër nga Greqia
Kampioni i Kosovës në hendboll, KHF Istogu, ka mësuar kundërshtarin e raundit të dytë kualifikues të Kupës Evropiane (EHF European Cup).
Shorti i tërhequr të martën paradite në Vjenë ka përcaktuar që Istogu të luaj me skuadrën greke AESH Pylaia Thessaloniki.
Ndeshja e parë është në Istog ndërsa e kthimit në Greqi.
Në raundin e dytë të Kupës Evropiane paraqiten plot 64 skuadra.
Ndeshja e parë luhet më 5 apo 6 tetor, ndërsa e kthimit më 12 apo 13 tetor
Short i vështirë për Ferizajn
KHF Ferizaj do të përballet me skuadrën spanjolle, Caja Rural Aula Valladolid në raundin e dytë të Kupës Evropiane (EHF European Cup) për hendbolliste.
Shorti është tërhequr të martën paradite në Vjenë, ndërsa nuk ishte me shumë fat për ferizajaset.
Ndeshja e parë zhvillohet në Valladolid, ndërsa e kthimit në Ferizaj.
Skuadra ferizajase ka kohë deri në fillim të tetorit për t’u përgatitur për ndeshjet evropiane.
Samadrexhën e pret udhëtimi në Portugali
Në raundin e dytë të Kupës Evropiane paraqitet edhe Samadrexha.
Skuadra samadrexhase përballë do ta ketë skuadrën nga Portugalia, Colegio Gaia/Colgaia-Toyota.
Ndeshja e parë do të zhvillohet në Portugali më 5 apo 6 tetor, ndërsa e kthimit më 12 apo 13 tetor në Samadrexhë.
Skuadra samadrexhase kthehet në skenën evropiane me shpresë për më shumë sukses