Presidentja e Kosovës zonja Vjosa Osmani ka reaguar nëpërmjet një postimi në profilin e saj zyrtar në facebook ndaj deklaratës së BE-së nëpërmjet zëdhënësit Peter Stano i cili ka thënë sot më herët gjatë ditës se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë është një çështje që duhet të trajtohet në dialogun e Kosovës me Sërbinë.
Presidentja Osmani ka thënë në mënyrë eksplicite se hapja e urës së Ibrit nuk duhet asesi të bëhet temë në dialogun më Sërbinë sepse një gjë e tillë përbënë shkelje të sovranitetit, integritetit territorial dhe Kushtetueshmërisë së vendit tonë.
Reagimi i plotë:
Reagim ndaj deklaratës së sotme të BE-së se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë
Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë.