Këshilli Gjyqësor në pritje të raportit hetimor për gjyqtarin Kuçi që e liroi Sekiraqen

by Nexhat

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) është ende në pritje të raportit nga paneli hetimor në lidhje me veprimet e gjyqtarit Agim Kuçi, i cili pasi dënoi me 25 vite burgim Enver Sekiraqën e la në liri.

Nga ky institucion shkurt kanë thënë se paneli ka kohë që brenda 3 muajve ta hartojë raportin dhe se ende nuk e kanë pranuar atë

banner

“Paneli Hetimor brenda periudhës prej 3 muajve duhet të hartoj raportin mbi faktet dhe provat e mbledhura të cilin raport ia dorëzon KGJK-së. Në këtë rast, KGJK ende nuk e ka pranuar raportin”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Veprimet e gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, po shihen si paradoks nga ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani.

“Gjyqtari nuk kishte të drejtë të merrej me këtë masë, d.m.th. masën e arrestit shtëpiak, por do të duhej të vendoste trupi gjykues. Është pak paradoks që të dënohet dikush me 25 vjet burgim dhe t’i hiqet edhe masa e arrestit shtëpiak. Për mua ka qenë shumë më e arsyeshme dispozita që ka qenë deri më 2023, kur në mënyrë eksplicite ka qenë norma kur gjykata i cakton dikujt burgim deri në 5 vjet automatikisht ai shkon në paraburgim,” ka thënë Hasani.

Ndërkohë, edhe një ish-kryetar gjykate, Hasan Shala i Apelit, thotë se rastet e tilla duhet të trajtohen me prioritet nga Këshilli, porse mund të marrin kohë më shumë

“Në rastin konkret Këshilli Gjyqësor ka marr masën më të rëndë e ka suspenduar gjyqtarin dhe tash janë duke u bërë hetimet edhe në kuadër të KGJK-së komisionit disiplinor. Por ndoshta këtu kemi të bëjmë edhe për një dyshim me vepër penale. E, nëse kemi me këtë atëherë kjo merr kohë,” tha Shala.

Gjyqtari Agim Kuçi, në shpalljen e aktgjykimit dy muaj më parë, e kishte lënë të lirë Sekiraqën, i cili ishte në arrest shtëpiak.

E, pasi Apeli vendosi që i njëjti të kthehet në paraburgim, policia nuk e kishte gjetur të njëjtën në shtëpi, duke e shpallur atë në kërkim

Megjithëkëtë, institucionet përfshirë Ministrinë e Drejtësisë nuk janë lëshuar në informata nëse ndaj tij është kërkuar urdhërarrest ndërkombëtar dhe për hapat e ndërmarr me arsyetimin se kjo është çështje konfidenciale. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy