Dje në QKUK ka vdekur një person që ishte duke u trajtuar pasi i njëjti kishte rënë në një pusetë 10 ditë më parë,
Nga komuna e Prishtinës, kanë njoftuar se i moshuari kishte rënë në një pusetë të hapur përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë – Podujevë.
“Më datën 09 gusht 2024, një i moshuar ka rënë në një pusetë të hapur përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë – Podujevë. Si pasojë, personi në fjalë ka ndërruar jetë me 19 gusht. I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit. Dëshirojmë të sqarojmë për publikun se është konstatuar nga ekipet tona dhe konfirmuar nga Policia e Kosovës, se puseta në të cilën ka rënë i ndjeri është në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë”, thuhet në reagimin e komunës.
Ata kanë akuzuar përfaqësuesit e VV-së në Komunë se po japin deklarata të pavërteta, pasi pjesa e pusetës ku ka rënë i ndjeri, sipas komunës është duke u menaxhuar nga Qeveria për shkak të punimeve.
“Kjo rrugë magjistrale nuk është në kompetencë të Kryeqytetit, por në kompetencë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pjesë e punimeve të menaxhuara nga Qeveria. Janë për keqardhje deklaratat e pavërteta nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët këtë fatkeqësi të rëndë tentojnë t’a politizojnë dhe përmes shpifjeve tentojnë t’ia hedhin fajin organeve të Kryeqytetit”, thuhet tutje në reagim.
Për këtë rast sot ka njoftuar edhe policia e Kosovës.
“ASGJËSIM, DËMTIM APO HEQJE E PAJISJEVE MBROJTËSE- Prishtinë / 09.08.2024 – 21:30. Më 19.08.2024 në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar i cili ishte duke u trajtuar në QKUK si pasojë e lëndimeve të pësuara pasi kishte rënë në një pusetë të hapur më 09.08.2024. Në konsultim me prokurorin është inicuar rasti dhe mbetet në hetime.”