Mihane Bugari ka vazhduar rrëfimin e saj n’Kohë, duke treguar përjetimet e rënda që ka pasur nga martesa e dytë.
Banorja e shtëpisë së pleqve “Jetimat e Ballkanit”, ka treguar se si pas dhunës që përjetoi nga martesa e parë e martuan për një burrë tjetër tek i cili nuk gjeti lumturinë.
Momenti i saj më i lumtur ishte lindja e vajzës, por pas 4 muajsh familja e burrit e ndanë nga vajza dhe e kthyen Mihanën tek babai.
“Kur e linda vajzën, ishte në Slloveni dhe erdh. U gëzu shumë, më tha falemnderit që më ke bërë një vajzë të shëndetshme”, tregon ajo.
Ajo tregon dhimbjen e madhe që ka pasur kur nga dora i morën vajzën dhe më pas i thanë se ajo ka vdekur. Por nëna Mihane, beson se vajzën e ka gjallë edhe sot dhe shpreson që ta takojë.
“Ka vetu ka murmuru kur ma kanë marrë çikën. Më kanë thënë se vajza ka vdekë, në komunë ashtu e kanë shkruar, por unë dyshoj që çikën e kanë shlu aty, dhe ja kanë dhënë dikujt me emër e mbiemër tjetër. Ka qenë bebe e urtë, as zërin s’ja kom ni. Më keq më…jam përvëluar për së gjalli. I kisha thanë: le të vjen një ditë e t’më thërret oj NANË, dhe ta përqafojë, edhe në vdeksha në ato momente..”, thotë mes tjerash Mihane Bugari.