Rikthimi i kullës së bajraktarëve në Panteonin Kombëtar

by Nexhat

Nga: Gjon GJOKAJ,kryetar i Fondit Humanitar “Trieshi” New York(SHBA)

Të nderuar anëtarë të Familjes Bajraktari dhe Çunmulaj, klerikë dhe intelektualë të dashur, të nderuar bashkëkombas, pjesëmarrës në këtë tubim madhështor e historik, me rastin e përurimit të rikonstruktimit të Kullës së Bajraktarëve të Hotit dhe Malësisë së Madhe.

banner

Përkufizimi i fisnikërisë së lartë shqiptare, edhe në kohë kur vendi ynë ishte i pushtuar e i varfër, ka qenë ajo që ka mbajtur gjallë Shqipërinë ndër shekuj, përballë pushtuesëve të egër. Kjo ka ndodhur falë trimërisë dhe kullave të forta, që kanë ditur për ta ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi formën e dinastive tradicionale kanunore.

Edhe kur pranuan pozita pushtetare, ata kurrë nuk e lanë mënjanë origjinën e tyre, duke mbrojtur me xhelozi të madhe gjakun, vëllazërinë dhe kombësinë. Pikërisht kështu kanë vepruar edhe pinjollët e kësaj shtëpie, Bajraktarët e Hotit dhe Malësisë së Madhe, të cilët kurrë s’u përkulën para pushtuesit dhe kurrë s’bënë ndonjë veprim pa marrëveshje me parinë e vendit.

Në këtë kuadër vepronin dhe kishin lidhje të ngushta me Bajraktarin e Hotit edhe bajraktarët e tjerë të Malësise së Madhe si Vat Marashi i Shkrelit, Mark Toma i Kelmendit, Dodë Preçi i Kastrstit, Dedë Nika i Grudës, Gjon Nishku, Baca Nika dhe Nikë Luca i Trieshit dhe Pretash Zeka i Kojës.

Kjo shtëpi, e njohur si Kulla e Bajraktarit të Hotit, ka nxjerrë burra të shquar në historinë e Shqipërisë. Qyshë prej shekullit të XVIII, kjo familje ka qenë e njohur në veriun e Shqipërisë, krahas familjeve të mëdha si Gjonmarkajt e Mirditës,, Mulosmanët e Krasniqes, Ivezajt apo bajraktarët e Grudes, Vuksanlekajt e Hotit, Aliajt e Kastratit, Begajt e Bushatit, Marqit e Bekajve të Trieshit etj.

Historia e kësaj familje të Bajraktarëve të Hotit dëshmohet prej dymbëdhjetë brezash, qysh prej Lucë Gjonit, shtëpia e të cilit qëndron para kësaj Kulle, ku jemi tubuar sot për përurimin e saj.

Pinjollët e familjes Bajraktari ishin ndër të parët në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, qysh prej kohës së lëvizjeve të para kombëtare, shpalljes së Pavarësisë dhe rezistencave të ndryshme që i kanoseshin Shqipërisë. Kjo derë ka nxjerrë ndër shekuj burra të urtë, prijës të malëve, luftëtarë, oficerë ushtarakë, intelektualë dhe liderë të shquar, të cilët i gjejmë në të gjitha luftërat dhe ngjarjet e mëdha. Për këtë arsye, regjimi komunist i përsekutoi të gjithë njerëzit e saj, si gjithë patriotët dhe familjet e mëdha në Shqipëri.

Trimëritë e Çun Mulës janë të njohura qysh prej Lidhjes së Prizrenit, luftës në Kastrat kundër Bedri Pashës të Turqisë, në luftën së Zharnicës kundër Mark Milanit të Malit të Zi. Prej këtyre lëvizjeve mbetën kujtimet e këngëve që populli i këndon ende sot: “Ka po vjen more Çun Mula”. Siç e përshkruan edhe At Gjergj Fishta në “Lahuta e Malcisë”: “Vjen Çun Mula e vjen Mark Lula – Njari i Hot e tjetri i Shalë – T’rreptë për pushkë e të urtë për fjalë.”

Nuk duhet harruar rasti unikal i trimave të Hotit gjatë kohës së copëtimit të trojeve shqiptare me vendimet e Kongresit të Berlinit, kur Fuqitë e Mëdha më 18 prill 1880 miratuan për t’i dhënë Principatës së Malit të Zi viset e Hotit e të Grudës, të njohura si Protokolli i Stambollit. Dorëzimi i këtyre viseve u caktua më 22 prill 1880. Në përgjigje, më 19 prill, në Shkodër u mbajt një miting i madh popullor, ku Hodo Beg Sokoli, në emër të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, foli kundër dhënies së Hotit e Grudës Malit të Zi. Në këtë protestë morën pjesë të gjitha krahinat e Malesisë së Madhe përfshi këtu edhe Kuçin e Trieshin.

Dy trima të mëdhenj të Malësisë, Smajl Marku i Hotit dhe Çun Mula, u ngjitën në ballkonin e godinës; i pari preu me jatagan dhe qiti për tokë flamurin me gjysmëhënë të Turqisë, ndërsa Çun Mula ngriti në ajër Flamurin Kuq e Zi të Shqipërisë.

Pinjollët e kësaj familje, si Deli Metë Bajraktari, tërë jetën e tyre e kaluan nëpër luftëra kundër pushtuesve osmanë dhe forcave serbo-malazeze. Një nga betejat e famshme ku u shqua Deli Meta ishte ajo e Koplikut në vitin 1912.

Në këto luftime përkrah Deli Metës luftoi edhe i biri i tij Mul Bajraktari, si dhe Luc Nishi që ishte i afert i gjakut të Dedë Gjon Lulit.

Pas asaj beteje, Krajl Nikolla i Malit të Zi dhe Mbreti Aleksandër i Serbisë dogjën disa herë shtëpinë e bajraktarit në shenjë hakmarrjeje.

Mul Deli Bajraktari ishte i aktivizuar në mbrojtje të atdheut kundër pushtimit nazi-fashist, ku do ta gjejmë krah për krah me Prek Calin, Gjelosh Lulin, Llesh Marashin dhe prijës të tjerë të Malësisë, më 30 maj 1943, në Tuz, kur u zhvillua Beslidhja e parë e Malësisë që kishte si synim shpëtimin dhe moscopëtimin e trevave të Malësisë së Madhe. Në bazë të të dhënave okulare të studiuesit dhe luftëtarit nacionalist Nikollë Melyshi, mësojmë se Nënkolonel Mul Deli Bajraktari ishte rreshtuar krah për krah patriotëve shqiptarë për të luftuar edhe forcat e errëta sllavo-komuniste të instaluara në Shqipëri (prej nga edhe lindi komunizmi në Shqipëri), nën komandën e përgjithshme ushtarake të veriut të ashtuquajtur ‘Nënkomitetet e Maleve’, që organizuan qëndresën antikomuniste si kapedan Mark-Gjon Markun, Major Dodë Nikollën Ivezaj, Major Llesh Marashin, kapitrn Gjelosh Lulin etj.

Kur ishte në kulmin e aktivitetit të tij, Mul Delia,(bazuar në të dhënat e Gjeneral Tomë Berishës), do të arrestohej nga forcat naziste në Shkodër së bashku me shumë intelektualë të tjerë, përfshirë këtu edhe axhën tim, Rrok Gjon Gjokaj, i cili ishte edhe juristi i parë i diplomuar nga Malësia në vitin 1937 në Beograd. Ata do të internoheshin në Austri dhe më vonë, pas disa vitesh, do të liroheshin; Muli do të kthehej në Siri, ndërsa Rroku në Prishtinë.

Në këtë shtëpi kanë pushuar dhe janë strehuar rrugëtarë, intelektualë, klerikë, murgesha, e trima të maleve, e njerëz të tjerë të dëshmuar në aktivitetin e tyre kombëtar e patriotik.Kulla e Bajraktarit ka qenë gjithmonë e hapur për mikun e për çdo nevojë që i drejtohej kësaj dere, siç thoshte populli “si për bukë, si për hua”.

Dhe krejtë në fund, të dashur vëllëzër e motra

I’u uroj rikonstruktimin e Kullës së Bajraktarit në emrin tim personal dhe të aktivistëve të Fondit Humanitar Trieshi në SHBA, dhe gjithë bajrakut të Trieshit. Krahinë kjo që ruajti bimën e pastër të arbërit, e njohur për veprimtari mbarëkombëtare dhe si luftëtarë të shquar që çliruan territorin e parë shqiptar Luginën e Cemit me Luftën e Lemajës kundër Turqisë në vitin 1907, luftë që i parapriu Kryengritjes se Malësisë, dhe vend ku u hollën themelet e para të shtetit shqiptar në Kuvendin e Greçës në Triesh, ku me Librin e Kuq u ratifikuan 12 pikat e Autonomisë së Shqipërisë

(Fjala e autorit me rastin e përurimit të Kullës Muze të Çun Mulës në Hot /16 gusht 20024/) .

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy