Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën ndaj të akuzuarve për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, Alban Gjonbalaj dhe Arben Kutllovci, janë dëgjuar si dëshmitarë dy prindërit e vajzës tani të ndjerë, L.H dhe A.H.
Fillimisht, dëshmitarja L.H, e cila është nëna e tani të ndjerës T.H, tregoi se ka lënë termin për vajzën në ordinancën private e të akuzuarit Arben Kutllovci, “CT Scaner”, ku qëllimi ishte t’i bëhej një rezonancë magnetike për tërë trupin. Për termin sipas saj, ka biseduar me të akuzuarin Arben Kutllovci.
Tutje, dëshmitarja tregoi se në ditën e terminit, me të mbërritur në ordinancë, aty i priti vajza e cila punonte në pranim, tekniku Muharrem Berisha dhe më pas erdhi edhe tani i akuzuari Alban Gjonbalaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Jam mundu me ja spjegu do gjëra lidhur me gjendjen shëndetësore të fëmijës, por doktori ka qenë në ekstrem tu u ngutë. E kam përgatit vajzën në kamë, ja kam hjek shnollat dhe asnjë pyetje sma ka bërë. Unë jam mundu me ja sqaru tanë kohën se vajza ime para 6 vitesh e kishte bërë rezonancën magnetike në Shqipëri tek doktor Petrela dhe se pas rezonancës s’kishte asnjë problem dhe analizat i dilshin mirë, kurse anesteziologu asnjë fjalë se ka folur por vetëm u bëjke gati vet”, tha dëshmitarja
Gjithashtu e njëjta deklaroi se doktori nuk e ka peshuar vajzën në peshore, para se ta fus në sallën e rezonancës.
Dëshmitarja pretendonte se vajzës së saj, ju kishte dhënë shiringu me anestezion në mënyrë të shpejtë.
Sipas saj, gjysmë ore pas fillimit të trajtimit, anesteziologu dhe tekniku me vrap kanë hyrë në sallë.
“Pas gjysmë ore ose më shumë, e pashë anestezionistin dhe teknikun tu vrapu me hi brenda në drejtim të dhomës ku ishte vajza… Unë kam vrapu te vajza dhe kam arrit me e shtri, dhe anestezologu ka nga te shiringu e ka mbushë plotë dhe anesteziologu ja ka jepë medikamentin sikur herën e parë, edhe shpejtë po edhe të plotë. Për një moment vajzën e ka lëshu trupi. Vajza ime i ka pas 17 kg”, tha dëshmitarja (nëna e të ndjerës).
Tutje, ajo tha se pas dhënies së dozës së dytë të anestezionit, pas 20 apo 15 minutave, sipas saj prapë Gjonbalaj dhe Berisha kanë hyrë në sallë duke vrapuar.
“Se di a kanë shku 20 minuta apo 15 minuta dhe i kam pa prapë tu vrapu prap te vajza edhe unë si herën e parë menjëherë me ta. Po e shoh vajzën ju kishin nxi buzët. Gjonbalaj e tha një fjalë si sharje diçka se çfarë ndodhi”, rrëfeu dëshmitarja.
Pas më shumë se gjysmë ore tentimeve nga të dy doktorët, sipas saj kishte ardhur edhe ndihma e shpejtë dhe 5 minuta para ndihmës së shpejtë ka mbërritur i akuzuari Arben Kutllovci.
“Kur erdhën ndihma e shpejtë mas ma shumë se gjysmë ore, pak para se me ardhë ndihma e shpejtë, 5 minuta, është ardhë Arben Kutllovci dhe normal kam bërtit ‘ma mytët çikën’ dhe ai më tha nuk kemi çka me ba’, deklaroi dëshmitarja.
Sipas dëshmitares, gjatë dërgimit të vajzës në QKUK në autoambulancë vajza nuk merrte frymë dhe nuk ka vërejtur asnjë shenjë jete te ajo. Pas 1 orë ose 1 orë e gjysmë, nga QKUK është konstatuar vdekja e saj.
“Ndihma e shpejtë e ka marrë vajzën dhe e kanë dërgu në QKUK ku janë mundu 1 orë, 1 orë e gjysë, e mandej është konstatu vdekja. Por dua të shtoj edhe një fakt se unë kam udhëtuar bashkë me vajzën me ndihmën e shpejtë dhe ajo s’merrte frymë dhe nuk kam vërejt asnjë shenjë jete te vajza ime. Vajza sa ka qenë në ordinancë ju fry barku. Emergjenca kanë thanë që vdekja ka ndodhë në ordiancë”, ka thënë nëna e të ndjerës.
Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Alban Gjonbalaj, avokatit Salih Gjonbalaj se çfarë lloj shiringu ju është dhënë vajzës, dëshmitarja u përgjigj se nuk e di se çfarë shiringu ka qenë, por e di që pesha e vajzës ka qenë 17 kg dhe anesteziologu Alban Gjonbalaj i ka dhënë shiritin e plotë për më shumë kilogram.
“Shkaku i vdekjes së vajzës sime ka qenë doza e tre ose e katër fishuar sepse doza e dytë ju ka dhanë njëjtë si e para, e kam pa vet. Dmth 30 dozën e parë 30 dozën e dytë, po bëhen 60 kg. E kam dëshminë që i ka 17 kilogram. Kjo ka qenë pakujdesi të plotë. Si pasojë e mos përfundimit të rezonancës, unë mendoj që ju ka jep doza e dytë dhe jam 100% e sigurt. Ai vetë e ka thënë atë ditë se ‘Unë e myta, boni se çka të doni” por për me pushu shpirti i çikës tem i qetë, duhet me pranu vet gabimin edhe tash, siç e ka pranu edhe ditën kritike”, deklaroi dëshmitarja.
Seanca vazhdoi me dhënien e dëshmisë së dëshmitarit A.H, i cili është babai i vajzës së ndjerë T.H.
Ai deklaroi se në ditën kritike kishte shkuar me vrap në sallë dhe kishte parë të akuzuarin Alban Gjonbalaj dhe teknikun, duke i dhënë vajzës frymëmarrje artificiale, por me maskë.
“Kur shkova me vrap, dije se çfarë tmerri ka qenë, bashkëshortja ka qenë tu qajt, Albani u kanë tu i jep ndihmë me atë teknikun. Ndihmë fizike i ka jep, gojë me gojë dhe këtë frymëmarrjen ja jepke me maskë, ky e din pse. Unë e kam prek vajzën, vajza ishte e nxirë në trup, ajo ishte me të shkurta sepse ishte vera dhe i shihej trupi që ishte me ngjyrë të zezë, barku ka qenë i fryrë, vajza ishte e ftoftë tërësisht, kokën e kishte të kthyer në anën e djathtë”, tha dëshmitari A.H
Ai ishte i bindur se vajza e tij kishte ndërruar jetë në klinikën private sepse sipas tij kishte përvojë dhe e dinte se si janë kufomat, nga koha e luftës.
Tutje, ai ka deklaruar se në ato momente e ka njoftuar vëllain e tij dhe i ka thanë që të vij pasi që vajza ka vdekur, duke shtuar se vëllai i tij me të mbërritur në ordinancë, ju kishte drejtuar doktorëve se do të jepnin përgjegjësi dhe doktor Alban Gjonbalaj në atë moment ju kishte drejtuar me fjalët “Unë e mbyta, bani se çka të doni”.
Sipas tij, ky rast nuk do të përfundonte në gjykatë nëse të akuzuarit do të ishin korrekt me sjellje dhe do të vazhdonin ta pranonin fajin, por sipas tij Arben Kutllovci ishte prononcuar për medie duke thënë se ordinanca e tyre është në rregull.
Në fund dëshmitarja L.H, që është nëna e vajzës së ndjerë, deklaroi se i gjithë ky rast kishte ndodhur nga pakujdesia dhe ngutia e anestezologut i cili në të njëjtën kohë ishte edhe në orar të punës në QKUK dhe në ordinancën private kishte ardhur ta kryej anestezionin dhe t’i merr 50 euro.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 31 janar 2023, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Alban Gjonbalaj dhe Arben Kutllovci, gjatë punës së tyre si mjekë, me rastin e dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor, nuk i kanë zbatuar rregullat e profesionit të kujdesit shëndetësor duke vepruar haptazi në mënyrë të pakujdesshme, duke përdorur mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit, ku si rezultat i këtyre veprimeve, ka ardhur deri te vdekja e pacientes, tani të ndjerës T.H.
Në aktakuzë thuhet se më 4 tetor 2020, gjatë trajtimit mjekësor, kryerjes së rezonancës magnetike për pacienten, tani të ndjerën T.H., i pandehuri Arben Kutllovci është dakorduar me të dëmtuarën – dëshmitaren Lutfije Haxhiu që më 4 tetor 2020 të kryhet rezonanca magnetike për vajzën e saj. Mirëpo, paraprakisht me rastin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore ka pranuar dhe udhëzuar ekzaminimin e “MRI ALL Body”, në kundërshtim më praktikat dhe legjislacionin në fuqi, duke kryer një intervenim të tillë pa qenë i pajisur me udhëzimin për ekzaminim si dhe nuk ka bërë evidentimin e personelit mjekësor dhe dokumentacionit shëndetësor dhe dokumentacionit shëndetësor.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Alban Gjonbalaj më 4 tetor 2020, rreth orës 9:15 në ambientin e Klinikës “CT SCANER” (Institucion Privat Shëndetësor), me rastin e ofrimeve shëndetësore, ka vlerësuar në mënyrë joprofesionale gjendjen e pacientes tani të ndjerës T.H, duke mos bërë matjen e peshës trupore.
Aty thuhet se ekzaminimi i të ndjerës është bërë pa udhëzime mjekësore si dhe incizimi i rezonancës magnetike të tërë trupit të pacientes është bërë pa prezencën e mjekut specialist të Radiologjisë, por në vend të mjekut ka qenë prezent Muhamet Berisha – Teknik i Radiologjisë palicencë valide të punës.
Sipas aktakuzës, si pasojë e mostrajtimit të duhur nga specialistët përkatës, ku i pandehuri Gjonbalaj ia ka dhënë dozën e parë të anestezionit pacientes, ku pas 10 -15 minutash të njëjtës i është dhënë edhe doza e dytë, kështu duke iu përkeqësuar gjendja gjatë procedurës së “MRI”. Dhe pas përkeqësimit përkundër të ndihmës së parë dhe dërgimit në urgjencën e QKUK-së, pacientja kishte ndërruar jetë
Për këto veprime të kryer nga secili veç e veç, të lartcekurit ngarkohen për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 254 par. 8 lidhur me par.4 lidhur me par.1 të KPRK-së./