Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në dialog pritet të udhëtojnë më 17 shtator në Bruksel, mirëpo nuk dihet nëse do të ketë takim trepalësh. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi akuzoi palën serbe se ka refuzuar takimin e përbashkët, pasi nuk është pajtuar me agjendën e propozuar nga ndërmjetësi evropian. KosovaPress ka dërguar pyetje në Bashkimin Evropian nëse do të ketë takim të përbashkët në nivel të kryenegociatorëve në dialog, mirëpo të njëjtit thanë se kur të jetë e nevojshme do të bëjnë një njoftim.
Në anën tjetër, në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje thonë se BE-ja dhe veçmas emisari Lajçak e dinë se nuk mund të ketë dialog apo negocim mbi çështje që nuk janë pjesë e marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Madje, sipas tyre, duhet konfirmim zyrtar se Serbia ka tërhequr letrën nga Brukseli, ku thuhet se nuk zbaton disa pika të marrëveshjes. Ndërkaq, në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe njohës të procesit të dialogut, shprehën skeptik për progres në dialog në rrethanat aktuale, ku Kosova është në prag të zgjedhjeve.
Deputetja e LVV-së, njëherësh kryetare e komisionit parlamentar për punë të jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për KosovaPress, se qeveria ia ka bërë të qartë Lajçakut në vizitën e tij së fundmi në Kosovë se BE-ja duhet ta definojë me Serbinë nëse i qëndrojnë prapa marrëveshjes së Brukselit.
“BE-ja tashmë e dinë se nuk mund të ketë dialog apo negocim mbi çështje që nuk janë pjesë e marrëveshjes bazike dhe aq më pak nuk mund të dialogojmë për një marrëveshje bazike që është hedhur poshtë nga vet Serbia. Ne kemi bërë shumë të qartë edhe Lajçak në vizitën e fundit që ka qenë në Prishtinë. Ata së pari duhet të definojnë këtë gjë me Serbinë. Serbia duhet të tërheq letrën e ish kryeministres dhe të deklarojnë se qëndrojnë për marrëveshjen bazike. Të njëjtën të pranojnë dhe të nënshkruajnë në mënyrë që të diskutohet mundësia e rikthimit në proces të dialogut. Në të kundërtën çfarëdo tendence që të dialogohet në këtë kushte është e pafavorshme dhe padrejtë në raport me Kosovën”, thotë ajo.
Mirëpo, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, thotë për KosovaPress, se nuk pret progres në dialog, ani pse mund të ketë takime në nivel të kryenegociatorëve.
“Nuk besoj se do të ketë dialog efektiv, kualitativ. Më shumë do të përdoret për konsum të brendshëm. Më shumë do të jetë në rrafshin e një patriotizmi folklorik…Edhe Vuçiq këtë qasje do të përdorë që sa më shumë të krijojë parakushte që me të vërtet kur të diskutohen temat përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë nga këto gabime që po i bënë qeveria Kurti, ai të kapitalizojë sa më shumë”, thekson Quni.
Në anën tjetër, analisti Arton Demhasaj thotë se është e pakutimtë mbajtja e takimeve në dialog, qoftë në nivel të kryenegociatorëve, derisa Kosova është në prag të zgjedhjeve, si dhe s’ka qartësi nëse Serbia e ka tërhequr letrën nga Brukseli.
“Më duket e pakuptimtë me u mbajt takimi, pasi Kosova është para zgjedhjeve të rregullta parlamentare që janë caktuar më 9 shkurt. Nuk mund të pritet që një takim i nivelit të lartë apo nivelit më të ulët me zhblloku dialogun sa i përket zbatimit të marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel dhe Ohër…Për aq kohë sa ajo letër është dërguar zyrtarisht nga Qeveria e Serbisë në Bruksel, ku nuk pranon të zbatoj pjesë të marrëveshjes, atëherë dialogu është i pakuptimtë. Serbia edhe zyrtarisht si pranues i marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, hpo tregon se nuk i zbaton obligimet e saja. BE-ja duhet të qartësojë ka apo s’ka tërheqje të letrës së dërguar nga Serbia në Bruksel”, thotë ai.
Takimin e së martës më 17 shtator e konfirmoi zvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ditë më parë, i cili tha Serbia po refuzon takim trilateral, për shkak të mospajtimit me agjendën e takimit të caktuar nga emisari i BE-së dhe duke tentuar të imponojë pika të rendin e ditës të destinuara për konsum të brendshëm politik.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë qëndrimt në Kosovë javën e kaluar tha se Serbia ka tërhequr letrën dërguar BE-së, vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit.