OKB: Dhjetëra mijëra të zhvendosur për shkak të sulmeve në Liban

by Nexhat

Dhjetëra mijëra persona janë larguar nga shtëpitë e tyre në Liban, teksa Izraeli ka vazhduar të kryer sulme, thanë Kombet e Bashkuara më 24 shtator, duke i quajtur këto ngjarje si “shumë alarmante”.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar lidhur me përshkallëzimin serioz të sulmeve që pamë dje”, tha zëdhënësi i agjencisë për refugjatë të OKB-së, Matthew Saltmarsh.

“Dhjetëra mijëra persona u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre dje dhe gjatë natës dhe numri i tyre pritet të rritet”, shtoi ai për gazetarët në Gjenevë.

Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 558 persona të hënën, përfshirë 50 fëmijë dhe 94 gra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban. Të paktën katër punonjës shëndetësorë u vranë dhe 16 mjekë u plagosën, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Izraeli dhe Hezbollahu – grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – kanë këmbyer zjarr ndërkufitar pothuajse çdo ditë që kur nisi lufta në Gazë më 7 tetor.

Por, bombardimet e 23 shtatorit në Liban deri më tani shënuan përshkallëzimin më të madh, që nga lufta e vitit 2006 mes Izraelit dhe Hezbollahut, grup që mbështetet nga Irani.

Disa agjenci të OKB-së po punonin që të përshpejtonin dërgimin e ndihmave në Liban për të adresuar situatën, e cila ishte e rëndë edhe para përshkallëzimit të fundit.

“Ky është një rajon që veçse ishte shkatërruar nga lufta dhe një shtet [Libani] që e di shumë mirë se çfarë është vuajtja”, tha Saltmarsh.

Ai theksoi se edhe para sulmeve të 23 shtatorit, në Liban ka pasur zhvendosje të popullsisë nga pjesa jugore e vendit.

“Situata është shumë alarmante. Është shumë kaotike. Numri i civilëve të vrarë është i papranueshëm”, theksoi ai

Sulmet e së hënës u kryen pasi Izraeli sulmoi Bejrutin të premten duke vrarë dhjetëra persona, përfshirë dy komandantë të Hezbollahut. Ditë më parë, po ashtu, pajisjet e telekomunikimit të grupit u goditën nga një sërë shpërthimesh. Për këto shpërthime, që lanë të vrarë 39 persona dhe plagosën pothuajse 3.000 të tjerë, Hezbollahu e ka fajësuar Izraelin. Por, Izraeli nuk ka komentuar për këtë rast. /REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy

Ne jemi informim.net, një portal lajmesh që kemi një qëllim të qartë dhe premtim për të qenë portal lajmesh më i shpejtë në Kosovë dhe në rajon.
Ne kemi një staf të përkushtuar gazetarësh dhe redaktorësh që punojnë vazhdimisht për të sjellë lajme aktuale dhe të besueshme për lexuesit tanë. Ne ofrojmë lajme nga Kosova dhe më gjerë, duke i kushtuar rëndësi çështjeve që ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve. Gjithashtu, ne kemi një fokus të veçantë në kulturë, art, dhe inovacione teknologjike.

Edtior's Picks

Latest Articles

All Right Reserved 2023