Gjykimi për Fondin e 3%, avokati për mungesën e Bujar Bukoshit: Ka disa vite që ai është në luftë me vdekjen

by Nexhat

Në Gjykatën e Prishtinës më 24.09.2024 ka dështuar seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Fondi i 3%-shit” për shkak të mungesës së të akuzuarit Bujar Bukoshi.

Sipas avokatit Besnik Berisha, i mbrojturi i tij Bujar Bukoshi ka munguar pasi po përballet me një sëmundje të rëndë dhe momentalisht ndodhet në Shqipëri, kurse kohë pas kohe edhe në Gjermani, ku po e vijon trajtimin

“Ka disa vite që zotëri Bukoshi është në luftë me vdekjen si rezultat i një sëmundjeje të rëndë… Ky trajtim vazhdon edhe më tutje dhe sot kontaktova edhe me bashkëshorten e zotëri Bukoshit, e cila më njoftoi se është në Shqipëri për trajtim, ku Shqipëria është edhe vendi që po e financon trajtimin në Gjermani duke mbuluar koston relativisht të lartë” – ka deklaruar, ndër të tjera, mbrojtësi i Bujar Bukoshit, avokati Besnik Berisha.

Ai tha se e kanë njoftuar Gjykatën lidhur me trajtimin e fundit të të akuzuarit.

“Herën e fundit z. Bukoshi i është nënshtruar terapisë me datën 13.09.2024 të cilën e faktojmë me një raport nga familjari i tij për këtë trajtim. Për gjendjen e rëndë Gjykatës i kemi dorëzuar edhe raportin e lëshuar nga klinika ‘Medical Center’” – ka elaboruar më tutje avokati.

Avokati potencoi se nuk ka kurrfarë tendence për shmangie nga drejtësia nga ana e Bukoshit por vetëm pamundësi shkaku i, siç e quajti ai, “gjendjes alarmante me prognozë të shkurtër për jetën”.

Mbi këtë bazë ai ka kërkuar nga Gjykata që çështjen ta shtyjë për një periudhë më të gjatë kohore, e cila, sipas tij, ose do të “shpërfaqte shërimin ose konfirmonte largimin nga jeta të Bujar Bukoshit”.

Por, kërkesa për shtyrje të gjykimit për një periudhë më të gjatë kohore u refuzua nga ana e gjyqtarit Rrahim Beqiri, i cili për më tepër tha se për Gjykatën deri më tani mungesa e të akuzuarit është e paarsyetuar. Kjo sepse, siç deklaroi gjyqtari Rrahim Beqiri, nuk është respektuar kërkesa e Gjykatës e datës 05.09.2024 për të sjellë në Gjykatë raportin mjekësor, të përkthyer e të vulosur nga një përkthyes i autorizuar.

“Përmes email-it të datës 09.09.2024 mbrojtësi i dorëzon Gjykatës një raport të lëshuar nga dr. Lutfi Dervishi në Prishtinë si dhe raport tjetër që është në gjuhën shqipe në emër të Bujar Bukoshit por nuk ka vulë as emër të përkthyesit” – ka elaboruar gjyqtari Rrahim Beqiri.

Në fund të seancës gjyqtari Rrahim Beqiri njoftoi se seanca e radhës është caktuar të mbahet më 16.10.2024.

Aktakuza kundër Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit ishte ngritur në vitin 2017 mbi pretendimet e Prokurorisë Speciale për keqpërdorimin e Fondit të 3%-shit, i cili ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve kosovarë, me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve 1990.

Për shkak të gjendjes shëndetësore të Bujar Bukoshit, procedura gjyqësore ndaj tij ishte veçuar dhe kishte vazhduar ndaj ish-deputetit të LDK-së, Naser Osmani dhe Atdhe Gashit.

Në aktgjykimin e shkallës së parë të datës 23.06.2023 Naser Osmani dhe Atdhe Gashi ishin shpallur fajtorë për veprën penale në bashkëkryerje – shpërdorimi. Ndër të tjera të njëjtit ishin obliguar që dëmin në lartësi prej 255,398,41 euro t’ia kompensonin në mënyrë solidare buxhetit të Kosovës.

Gjykata e Apelit më 09.12.2023 e kishte ndryshuar vetëm lartësinë e dënimit, duke i dënuar të njëjtit me nga 18 muaj burgim.

Kundër këtyre dy aktgjykimeve kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kishin ushtruar avokati Florent Latifaj, mbrojtës i Naser Osmanit, dhe avokati Halit Shaljani, mbrojtës i Atdhe Gashit.

Me 05.06.2024 Gjykata Supreme e ka refuzuar aktakuzën e Prokurorisë ndaj Naser Osmanit e Atdhe Gashit për veprën penale të shpërdorimit në rastin e njohur si Fondi i 3%-shit, duke arsyetuar se ndjekja penale në këtë rast ka arritur parashkrimin absolut

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy

Ne jemi informim.net, një portal lajmesh që kemi një qëllim të qartë dhe premtim për të qenë portal lajmesh më i shpejtë në Kosovë dhe në rajon.
Ne kemi një staf të përkushtuar gazetarësh dhe redaktorësh që punojnë vazhdimisht për të sjellë lajme aktuale dhe të besueshme për lexuesit tanë. Ne ofrojmë lajme nga Kosova dhe më gjerë, duke i kushtuar rëndësi çështjeve që ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve. Gjithashtu, ne kemi një fokus të veçantë në kulturë, art, dhe inovacione teknologjike.

Edtior's Picks

Latest Articles

All Right Reserved 2023