Një 20 vjeçar dhe një punëtor i sigurimit, sipas Policisë, janë rrahur mes vete të shtunën rreth orës 22:30 në qendrën sportive “Sezair Surroi” në Prizren, ku u mbajt manifestimi për Ditën e Boshnjakëve.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha se rreth orës 22:30 “është shkaktuar një incident, rrespektivisht konfrontim fizik”.
“Nga policia janë identifikuar personat e përfshirë në rast – të dyshuarit; H.M. 20 vjeç, nga fshati Grenqare, Prizren dhe një pëtor i sigurimit”, tha Bytyqi.
Sipas informative të deritanishme, ai thotë se “H. M. ka tentuar që të hyje në hollin e salles sportive të dedikuar për mysafirë me rëndësi (të ftuar)” dhe se “i njëjti ka hasë në kundërshtim të punëtorëve të sigurimit”.
“Me këtë rast i dyshuari e sulmon fizikisht punëtorin e sigurimit duke e goditur të njëjtin me grusht në fytyrë. Punëtori i sigurimit i kundërpërgjigjet dhe për pasojë të dy personat kanë pësuar lëndime trupore”, tha ai.
Të dy, siç tha zëdhënësi, “janë shoqëruar në stacionin policor dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale”.
“Për të gjitha është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe me udhëzimin e tij është inicuar rast i klasifikuar si vepër penale ‘Lëndim i lehtë trupor’”, tha ai.
“Të dyshuarit pas intervistimit janë liruar kurse kundër tyre, pas përfundimit të të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme, do të ngritet kallëzim penal”, tha Bytyqi.
Deputetja Duda Balje tha se 20-vjeçari nga fshati Gërnçar i Prizrenit “u rrah vetëm pse donte t’u bashkohej të tjerëve që po luanin në podium”.