Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se kërcënimi nga raketat iraniane duket se ka përfunduar dhe tha se banorët mund të dalin nga vend-strehimet. Sipas tij, nga sulmi nuk pati viktima.
“Do të ketë pasoja për sulmin. Kemi plane dhe do të veprojmë sipas kohës dhe vendit që ne përcaktojmë”, shtoi zëdhënësi.
Autoritetet izraelite njoftuan ndalimin e të gjitha fluturimeve nga dhe drejt aeroporteve izraelite. Një njoftim i ngjashëm për mbylljen e hapësirës ajrore ishte bërë pak më herët edhe nga Jordania.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, dëshmitarët thanë se panë të rrëzohen mbi hapësirën ajrore të Jordanisë disa nga raketat e nisura, ndërsa dhjetëra të tjera vazhduan lëvizjen drejt Izraelit.
Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se ka lëshuar disa dhjetëra raketa drejt Izraelit dhe se sulmi do të përsëritet nëse do të ketë një kundërpërgjigje nga Izraeli.
Alarmi për një sulm iranian ndaj Izraelit u dha fillimisht pak orë para se ai të fillonte nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Sirenat paralajmëruese për sulme ajrore u dëgjuan për rreth 1 orë gjithandej Izraelit, duke udhëzuar banorët të shkonin në vend-strehime.
Presidenti Biden dhe zëvendëspresidentja Harris e ndoqën sulmin e Iranit kundër Izraelit nga Dhoma e Situatave në Shtëpinë e Bardhë, duke u informuar rregullisht nga ekipi i sigurisë kombëtare.