Një tragjedi e vërtetë është regjistruar këtë të martë në Maqedoninë e Veriut, ku një burrë vrau bashkëshorten, vajzën e tij të mitur dhe më pas plagosi rëndë djalin e tij 9-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Sllatinë të Tetovës, ku 50-vjeçari R.Sh ndërmori krimin e rëndë për motive ende të paqarta.
Mediat raportojnë gjithashtu se ka qenë nëna e 36-vjeçares e cila ka qenë e para që ka mbërritur në vendngjarje dhe ka parë skenën e krimit, pasi kishte telefonuar disa herë vajzën dhe ajo nuk i ishte përgjigjur.
“Sot (8 -tetor) rreth orës 14:00 në SPB Tetovë T.J. nga Tearca në cilësinë e mjekut ka raportuar se është thirrur për intervenim në fshatin Sllatinë nga M.Z. nga Sllatina e Tetovës, e cila në shtëpinë e tyre familjare ka gjetur pa shenja jete vajzën e saj K.Sh (36) dhe mbesën e saj të mitur, ku është konstatuar vdekja.
Menjëherë pas raportimit është vepruar dhe është siguruar vendi ku ekipi nga SPB Tetovë në bashkëpunim me prokurorin publik kanë kryer inspektimin dhe me urdhër të prokurorit trupat e pa jetë të të ndjerëve janë dorëzuar për obduksion, ndërsa bashkëshorti i saj R.Sh. (50) së bashku me djalin e tij të mitur, do të transferohen për ndihmë mjekësore në Spitalin klinik të Tetovës, e më pas personi R.Sh. do të ndalohet në Komisariat për veprime të mëtejshme”, shkruhet në reagimin e policisë së Tetovës për këtë ngjarje.