Edhe Apeli refuzon kërkesën për hudhjen e aktakuzës ndaj ministres Gërvalla për mosdeklarim të pasurisë

by Nexhat

Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së Donika Gërvallës, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte konfirmuar aktakuza ndaj saj.

Ministrja Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

banner

Gjykata Themelore në Prishtinës më 19 qershor 2024 kishte konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj Gërvallës, duke refuzuar kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.

Kundër këtij aktvendimi, ankesë kishte paraqitur mbrojtësja e Gërvallës, avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, aplikimit të gabuar të së drejtës materiale dhe shkeljes esenciale të dispozitave të procedures penale

Keqekolla-Sadiku kishte propozuar që Apeli të ndryshojë aktvendimin e Themelores dhe ta hedh të pabazuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Kurse, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës kishte propozuar që ankesa e mbrojtjes së Gërvallës të refuzohet si e pabazuar, kurse aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

Andaj, Gjykata e Apelit në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i cili është përpiluar më 10 tetor 2024, gjeti se ankesa e mbrojtjes nuk është e bazuar.

Avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku, përmes ankesës pretendoi se kemi të bëjmë me një akuzë të paligjshme, pasi nuk është përmbushur elementi kryesor i veprës penale – përfitimi material, pra rritja e pasurisë në mënyrë të paligjshme.

Sipas saj, pasuria e deklaruar në mënyrë të gabueshme, ishte fituar në mënyrë të ligjshme dhe nuk kishte asnjë arsye për ta fshehur atë pasuri, por që sipas saj nuk e kishte deklaruar saktë për shkak të pakujdesisë.

Në ankesë, po ashtu mbrojtja ka shtuar se nga provat tregohet se të ardhurat e bashkëshortit të të akuzuarës nuk kanë ndryshuar as nga koha pas raportimit e as kur ishte raportuar, pra nuk kishte rritje të pasurisë paligjshëm.

Kurse, për raportimin e pronës së paluajtshme në pronësi të saj, thuhet se formularit nuk ia kishte bashkëngjitur fletën poseduese për shkak të mosnjohurisë duke marrë për bazë se ishte pozita e saj e parë publike dhe të gjitha të dhënat kur e plotësoi formularin i kishte marrë nga bashkëfshatari i saj. Por, që të gjitha të dhënat që i kishte poseduar i kishte paraqitur gjatë plotësimit të formularit.

Në deklarimin e të akuzuarës, mbrojtja thotë se nuk kishte pasur asnjë çmim për të ulur vlerën reale, por që gjithçka ishte neglizhencë dhe se më pas kishte marrë veprime për ta rregulluar këtë situatë.

Po ashtu, mbrojtja pretendon se Prokuroria në aktakuzë nuk ka përcaktuar qëllimin e të akuzuarës për mosdeklarimin e pasurisë, nëse e bëri me dashje dhe se këtë pasuri a e kishte fituar në mënyrë të ligjshme apo jo.

Mbrojtja pretendoi se vendimi i shkallës së parë, ishte i përfshirë në shkelje të Ligjit Penal në dëm të të akuzuarës. Sipas mbrojtjes, veprimet e Gërvallës paraqesin përgjegjësi të kundërvajtjes dhe asesi të veprës penale

“Pra, në aspektin penal nuk mund të kenë të njëjtin status (dënimi i njëjtë) si pasuria e ligjshme si ajo e paligjshme e pa deklaruar”, citohet në vendim ankesa e mbrojtjes.

Apeli vlerëson se pretendimet ankimore të avokates Keqekolla-Sadiku nuk janë të bazuara dhe se aktvendimi i Themelores me të cilin është refuzuar kërkesa për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave është i bazuar, i drejtë dhe i ligjshëm.

Kolegji i Apelit thekson se vendimi i shkallës së parë nuk përmban shklelje për të cilat pretendohet në ankesë, e as shkelje të tjera për të cilat kjo Gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare.

“…sipas vlerësimit të kësaj gjykate, aktvendimi i ankimuar është i qartë dhe konkret, arsyetimi i tij është në përputhje të plotë me dispozitivin”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas Apelit, e rëndësishme në këtë fazë të procedurës penale është që aktakuza mbështetet në prova thellësisht të mbështetshme dhe të marra konform dispozitave ligjore dhe nuk ka vend për hudhje të aktakuzës

Shkalla e dytë më tej thekson se vepra penale për të cilën ngarkohet Gërvalla paraqet vepër penale dhe se nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale.

Po ashtu, thuhet se nuk ka rrethana tjera që pengojnë ndjekjen penale dhe ka prova të mjaftueshme për dyshimin e bazuar mirë se ministrja ka kryer vepën për të cilën akuzohet, e të cilat nuk janë kontestuese dhe se nuk janë marrë kundërligjshëm.

“… të njëjtat kanë bazë të artikulueshme që gjykata t’i çmojë si thelbësisht të mbështetshme dhe si të tilla do të elaborohen më hollësisht në shqyrtim gjyqësor, ku do të elaborohen edhe provat tjera të cilat mund të paraqiten si nga ana e prokurorit ashtu edhe nga ana e mbrojtje, me ç’rast do të vërtetohet edhe besueshmëria e tyre”, thuhet më tej në vendim.

Shkalla e dytë më tej thekson se pretendimet tjera të mbrojtëses së të akuzuarës nuk mund të shqyrtohen në këtë fazë të procedurës penale, pasi gjykata nuk është e autorizuar të bëjë vlerësimin e provave në këtë fazë të procedurës.

Sipas Apelit, në këtë fazë të procedurës vlerësohet vetëm ligjshmëria e provave dhe ngritjes së aktakuzës dhe se të gjitha pretendimet e mbrojtjes së të pandehurës, së bashku me provat që janë në aktakuzë, janë çështje që vlerësohen dhe vërtetohen në shqyrtimin e mëtejshëm gjyqësor pas administrimit të provave, ku do të vërtetohet fajësia apo pafajësia e të pandehurës.

Lidhur me akuzën për mosraportim të saktë të pasurisë, në seancën fillestare më 7 mars 2024, Gërvalla ishte deklaruar e pafajshme.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 31 janar 2023 nga prokurori Astrit Gashi, Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.

Aktakuza thotë se e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort

Tutje, në akuzë thuhet se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit, duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2.

Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.

Me këto veprime, Gërvalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj 2023 kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.

“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.

Ndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare.

Katër muaj pas këtij hulumtimi, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kishte njoftuar se është ende duke trajtuar rastin e ministres Gërvalla.

Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj./BetimipërDrejtësi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy