Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Kosova duhet të dërgojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kushtetuese.
“Dërgimi i Asociacionit në Kushtetuese është zotim bazë. Nuk e presim vetëm nga kryeminstri Kurti, por kanë qenë edhe disa kryeministra të mëhershëm që e kanë bërë, prandaj e presim këtë edhe nga Kosova”, tha O’Brien.
O’Brien theksoi se Asociacioni është mënyrë që komunat e ngjashme të shkëmbejnë përvoja dhe të flasin se si do t’i trajtojnë problemet.
“Asociacionet janë shumë të zakonshme në Evropë, sa e dijmë ne, janë mbi 400 asociacione të tilla nëpër tërë Evropën. Asociacioni nuk krijon një qeverisje apo një shtresë tjetër, por është një mekanizëm për bashkërenditje, siç e shohim ne në Italinë Veriore apo në ishujt e Suedisë apo në Belgjikë”, tha O’Brien në “Politiko” në Kanal 10.
Ai theksoi se është çasti që qytetarët serbë të jetojnë plotësisht në Kosovë, prandaj sipas tij, është e rëndësishme që Kosova duhet të dërgojë Asociacionin në Kushtetuese, derisa theksoi se “ai shihet si diçka normale në tërë Evropën”.