Deputetja Monika Kryemadhi e zbatoi me përpikëri vendimin e Gjykatës së Posaçme, duke u paraqitur në SPAK të hënën e parë të muajit nëntor, në orën 12:00.
Pasi doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, deputetja e Partisë së Lirisë foli për mediat duke thënë se do të përballet me drejtësinë, pavarësisht se në gjykimin e saj organi i akuzës ka bërë shkelje ligjore
“Unë jam një individ, aq më shumë një politikane që vendos të përballem edhe me padrejtësitë që bëhen. Sigurisht që unë po bëj komplet mbrojtjen time ligjore sa i përket pretendimeve që ka ngritur SPAK ndaj meje. Kam konstatuar një sërë shkeljesh ligjore të konsumuara nga organi i akuzës. Patjetër që këto do të kundërshtohen me prova, me fakte dhe argumente që do t’u vërtetojnë shqiptarëve të kundërtën e asaj që shkruhet. Normalisht dhe ju do të njiheni me to, me të vërtetat e Monika Këmbësores dhe satelitëve të gjithësisë. Kështu që duroni se do të informoheni për të gjitha pasi edhe ky është proces që kërkon sistemin e vetë të zbatimit të gjërave dhe për të treguar sesa i vërtetë është procesi dhe sa qëndrojnë faktet”, tha Kryemadhi.
E pyetur nga gazetarët nëse ka pasur komunikim me Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, që nga momenti i burgosjes së tij, Kryemadhi ka mohuar diçka të tillë.
“Jo, jo. Nuk komunikoj, zero me zotin Meta”, u shpreh ajo.
Monika Kryemadhi është nën hetim për dosjen “Meta”, e cila ka çuar pas hekurave ish-bashkëshortin e saj, i cili u arrestua me urdhër të SPAK dhe akuzohet për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë