Kishte një ndjenjë zhgënjimi në Thulasendrapuram, një fshat i vogël në Indinë jugore, ku familja e nënës së Kamala Harris ka paraardhësit dhe ku njerëzit e donin kandidaten demokrate për presidente.
Banorët e këtij fshati, të cilët po ndiqnin me vëmendje rezultatet e zgjedhjeve në telefonat e tyre inteligjentë, mbetën të heshtur pasi entuziazmi fillestar u shua, por shumë thanë se ishin krenarë që ajo bëri një luftë të mirë, shkruan AP,
Fshatarët shpresonin për një fitore të Harrisit dhe të martën kishin bërë lutje speciale hindu për të në një tempull lokal ku emri i Harris është gdhendur në një listë donatorësh. Disa po planifikonin gjithashtu të hidhnin fishekzjarre dhe të shpërndanin ëmbëlsira nëse ajo do të kishte fituar.
“Ne jemi të trishtuar për këtë. Por çfarë mund të bëjmë? Ishte në duart e votuesve të atij vendi. Ata deshën që Trump të fitojë. Ne mund t’i urojmë vetëm suksese Trump për fitoren e tij”, tha J. Sudhakar.
Ndërsa rezultatet u bënë më të qarta, një grumbull gazetarësh që ishte vendosur jashtë tempullit të fshatit gjithashtu u shpërnda shpejt. Fshati – vendi i një spektakli të shkurtër mediatik dhe euforie që nga e marta – u bë pothuajse i shkretë