Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për pranim të ryshfetit në sektorin privat dhe falsifikim të dokumenteve.
Të dyshuarit me inicialet H.S. dhe E.S., pronarë të një autoshkolle në Kaçanik dyshohet se kishin marrë ryshfet nga kandidatët për t’ua mundësuar marrjen e patent-shoferit pa iu nënshtruar testimit.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për medie nga Policia e Kosovës.
“Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion –Rajoni Ferizaj, pas ndërmarrjes së veprimeve aktive duke zbatuar edhe masat e veçanta të hetimeve kanë arrit të sigurojnë dëshmi se të dyshuarit me iniciale (H.S dhe E.S.) si pronar/e dhe përgjegjës në një Auto shkollë me seli në Kaçanik dhe degën e saj në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit pasuror për vete apo personin tjetër, dyshohet se; kanë pranuar ryshfet në shuma të ndryshme parash nga kandidatë të ndryshëm, për t ía mundësuar marrjen e patentë shoferit për kategorinë “B” dhe kategorinë ,,C’’, pa iu nënshtruar testeve/kritereve përkatëse, përfshirë edhe sigurimin e certifikatës mjekësore, pa i ’u nënshtruar kontrolleve të rregullta mjekësore si dhe plotësimin e Vërtetimit që kandidati kinse është aftësuar në pjesën teorike dhe praktike”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, me këto veprime të dyshuarit e cekur me lartë me iniciale mund të kenë kryer veprat penale ”Pranimi i Ryshfetit në Sektorin Privat’’ dhe “Falsifikimi i Dokumenteve’’.
Më urdhëresë nga Gjykata Themelore-Ferizaj, në koordinim me Prokurorin përgjegjës të rastit, janë kontrolluar-bastisur dy zyrat, në lokacionet e sipër cekura, ku janë siguruar dhe sekuestruar disa dëshmi- prova materiale: dy telefonë mobil; regjistratorë-Libra- gjithsej pesë (5); fletore regjistrimi; fletore interne dhe gjepi–gjithsej shtatë (7); gjashtëdhjetë e katër (64) dosje origjinale të kandidatëve; dhe njëzet e një (21) Certifikata mjekësore-të shoferëve profesional-për punë.
Pas intervistës, me Aktvendim të Prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë për procedurë të mëtejme ligjore.