Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka vizituar sot fshatin Dugajevë, ku ka inspektuar punimet për asfaltimin e rrugëve lokale në Dugajevë – Poterç i Epërm.
Ky projekt, që është realizuar me një vlerë prej 204 mijë euro dhe në bashkëfinancim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka një rëndësi të madhe për banorët e këtyre dy fshatrave.
Permes nje postimi në Facebook nga Komuna e Klinës kanë theksuar se gjatë inspektimit, kryetari Elezaj ka thënë se projekti ka përfshirë asfaltimin e 1850 metrave të rrugës me gjerësi katër metra, si dhe rregullimin e dy urave.
“Asfaltimi i rrugëve lokale përfaqëson një hap përpara drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe cilësisë së jetës për secilin banor të këtyre dy fshatrave. Kjo, jo vetëm që do të lehtësojë qarkullimin dhe lidhjen mes fshatrave, por do të përmirësojë ndjeshëm edhe sigurinë e të gjithë banorëve që i përdorin këto rrugë çdo ditë”, ka thënë ndër të tjera Elezaj.
Ky projekt është një prej shumë investimeve të Komunës së Klinës për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe infrastrukturës në zonat rurale, që do të kontribuojnë në zhvillimin dhe lidhjen më të ngushtë të fshatrave.