Dikur vlerësohej si sulmuesi i ardhshëm 100-milionësh, ku është tani Evan Ferguson?

by Nexhat

Ishte një postim në rrjetet sociale që ngriti më shumë pyetje sesa përgjigje.

“Çfarë ndodhi me Evan Fergusonin?”, shkroi përdoruesi i “X”, DM.

banner

“Më kujtohet kur Brighton kërkonte rreth 100 milionë funte për të”, shkruante ai.

Dhe kjo është e vërtetë. Në fund të vitit 2023, kur disa prej klubeve më të mëdha të Evropës po interesoheshin për transferimin e Fergusonit, Brighton e vlerësonte futbollistin e tij më të çmuar rreth 100 milionë funte.

Ky çmim ishte i justifikuar. Pasi kishte shënuar 12 gola në 32 paraqitjet e para në Premierligë, ai po tregonte aftësitë dhe pjekurinë e nevojshme për t’u bërë një prej sulmuesve më të mirë në botë.

Në rubrikën e tij për “The Athletic”, Alan Shearer e kishte përshkruar atë si një “talent të veçantë”, duke shtuar: “Ai është në klubin e duhur në kohën e duhur, por sa i përket së ardhmes, mund të bëhet gjithçka që dëshiron”.

Tri vjet më vonë, situata e Fergusonit është krejtësisht ndryshe. Ai vazhdon të jetë lojtar i Brightonit, por për herë të fundit luajti për këtë klub në shkurt të vitit 2025, kur u inkuadrua nga banka rezervë në humbjen 7-0 ndaj Nottingham Forestit në Premierligë. Atëherë, çfarë ndodhi me të?

Shkurtimisht, një seri lëndimesh ia ndërprenë vazhdimisht hovin e karrierës, shkruan “Sport Bible”,

Nga fundi i nëntorit të vitit 2023 deri në tetor të vitit 2024, Ferguson nuk arriti të shënonte asnjë gol në 33 paraqitje me klubet e tij. Lëndimet, së bashku me mungesën e formës dhe ndryshimet në stafin e trajnerëve, ndikuan në këtë periudhë të vështirë.

Pas një huazimi jo produktiv te West Ham, dukej se gjithçka do të ndryshonte te Roma në Serie A. Ai po merrte më shumë minuta nën drejtimin e Gian Piero Gasperinit dhe po shfaqte shenja të dukshme përmirësimi.

Por, pasi u rrëzua në mënyrë të pafat mbi kyçin e këmbës së majtë gjatë një ndeshjeje të Ligës së Evropës kundër Stuttgartit, ai vazhdon të jetë jashtë fushave, pas operacionit që iu nënshtrua në muajin mars.

Në një intervistë për “SPORTbible” në janar, Ferguson foli hapur për serinë e pafat të lëndimeve, por edhe për humbjen e vetëbesimit.

“Dëgjoni, futbolli nuk është një lojë e lehtë. E nisa shumë mirë dhe më pas pata disa lëndime. Ndalova së luajturi dhe në njëfarë mënyre humba veten. E humba paksa edhe vetëbesimin. Është një situatë e vështirë kur kalon nga momentet më të bukura në ato më të vështirat. Kalova nga maja në fund. Gjatë dy viteve të fundit kam mësuar shumë për veten, si brenda ashtu edhe jashtë fushës”, ka thënë ai.

Karriera e Fergusonit e ka humbur hovin gjatë viteve të fundit, por duket se ai vazhdon të jetë pjesë e planeve të trajnerit Fabian Hurzeler te Brighton.

“Të gjithë e dinë se për çfarë është i aftë Evani. Ai e dëshmoi këtë para disa vitesh këtu te Brighton. Mendoj se ishte një prej sulmuesve më të mirë në Premierligë, prandaj shpresojmë se do të arrijë ta rikthejë formën e tij”, deklaroi Hurzeler në shtator.

“Shpresoj që ai ta ketë mendjen në vendin e duhur”, vazhdoi Hurzeler.

“Mendoj se ky është çelësi pas lëndimeve të tilla: të arrish të rikthehesh dhe të kesh besim të plotë në trupin tënd. Vetëm nëse ndihesh plotësisht i sigurt dhe i beson trupit tënd, mund të luash në nivelin më të lartë”, u shpreh ai.

Ai shtoi: “Ky është fokusi kryesor tani, pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Ende nuk dihet se kur Ferguson do të rikthehet në fushat e blerta. Ajo që dihet është se sulmuesi irlandez është ende vetëm 22-vjeçar. Ai ka mjaft kohë për ta rikthyer formën që dikur e bëri një prej talenteve më premtuese të futbollit evropian.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy