Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Donika Gërvalla, u prit në një takim nga ministri i Punëve të Jashtme, Gabrielius Landsbergis.
Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se në fokus të takimit ishte situata e sigurisë në rajon dhe Evropë, derisa të dy palët kanë riafirmuar përkushtimin për paqe dhe stabilitet.
“Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, u prit në një takim nga Ministri i Punëve të Jashtme, z. Gabrielius Landsbergis. Në qendër të takimit ishin sfidat e përbashkëta të sigurisë, kërcënimet në rritje për vendet demokratike në rajon dhe Evropë si dhe bashkëpunimi ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Lituanisë. Të dy palët riafirmuan përkushtimin për paqe dhe stabilitet në rajon dhe në Evropë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t’iu bërë ballë sfidave të sigurisë”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, gjatë takimit, Gërvalla është shprehur mirënjohëse e thellë për mbështetjen e palëkundur të Lituanisë në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe aspiratave të saj për integrim euroatlantik.
“Ajo vuri gjithashtu në pah mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën dhe paraqiti progresin e Kosovës në demokratizim, sundim të ligjit dhe rritjen ekonomike, fusha ku Kosova qëndron shembull në rajon dhe më gjerë”, thuhet në përfundim të komunikatës.