Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2023”.
Në një komunikatë për media GAP thotë se ky raport paraqet vlerësimin e tetë të Institutit GAP mbi transparencën buxhetore të komunave në Kosovë.
Sipas GAP vlerësimi bëhet duke u bazuar në numrin e dokumenteve buxhetore të publikuara, organizimin e dëgjimeve buxhetore me qytetarë, si dhe përgjigjet e komunave në kërkesat e Institutit GAP për qasje në dokumente publike.
“Ndryshe nga trendi në tri vitet e fundit, në vitin 2023, transparenca buxhetore e komunave pati rënie, me një mesatare të pikëve prej 57.5. Kjo rënie në vitin 2023 është ndikuar në veçanti nga problemet teknike për qasje në ueb-faqet e pesë komunave, si: Skënderaj, Peja, Kamenica, Mitrovica e Jugut dhe Prizreni, për të cilat këtë vit nuk është bërë vlerësim. Kjo është bërë me qëllim që të mos penalizohen këto komuna për shkak të problemeve që nuk varen prej tyre, duke pasur parasysh se menaxhimi i ueb-faqeve të komunave është kompetencë e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI). Nga gjithsej 100 pikë të vlerësimit, 20 komuna kaluan mesataren e pikëve, ndërsa katër komuna arritën maksimumin prej 100 pikëve: Drenasi, Hani i Elezit, Lipjani dhe Vushtrria”, thuhet në komunikatë

