Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti zërin kundër buxhetit të propozuar për vitin 2025, duke e cilësuar atë si një plan që nuk reflekton nevojat e vërteta të qytetarëve shqiptarë dhe që vazhdon të favorizojë një pakicë të privilegjuar, ndërsa pjesa më e madhe e shoqërisë mbetet e lënë pas dore. ” Zhurmë e madhe, propagandë e madhe, rritje pagash, pensionesh, një realitet tjetër paralel që asnjë nga qytetarët shqiptarë nuk e prek, ” tha Tabaku, duke kritikuar fuqishëm retorikën e qeverisë dhe duke theksuar ndarjen mes propagandës dhe realitetit të vështirë ekonomik që përballen qytetarët çdo ditë
Tabaku vuri në dukje se çmimet e ushqimeve bazë janë rritur deri në 60%, një rritje që ka ndikuar në mënyrë të veçantë tek pensionistët dhe shtresat më të varfra
“Fakti është që sot çmimet janë rritur 60% dhe kjo rritje dëmton më shumë pensionistët, të cilët nuk kanë pasur rritje pensioni në 12 vitet e shkuara, ” tha ajo, duke shtuar se rritjet minimale të pensioneve, prej vetëm 1% në vit, nuk janë të mjaftueshme për të përballuar koston e lartë të jetesës.
Duke vazhduar analizën e saj, Tabaku shpjegoi se modeli ekonomik aktual i qeverisë përqendron përfitimet tek një grup i vogël biznesesh dhe individësh të lidhur me kontratat publike, ndërkohë që shumica e popullsisë përballet me barrën e rritjes së çmimeve dhe mungesën e mbështetjes. ” Ky model ekonomik që të gjithë rritjen e çmimeve ja ngarkon shtresave më të varfra dhe më në nevojë duhet të ndryshojë, ” theksoi ajo, duke bërë thirrje për një reformë të thellë të sistemit ekonomik në mënyrë që përfitimet të shpërndahen në mënyrë më të barabartë
Tabaku u shpreh se buxheti 2025 nuk sjell asnjë ndryshim për sektorët më të rëndësishëm të jetës publike, duke përmendur mungesën e prioritizimit për pensionistët, bujqësinë, arsimin dhe shëndetësinë.
” Ekonomia shqiptare duhet të prodhojë për të gjithë, duhet të rritet për të gjithë dhe ky buxhet nuk sjell asnjë ndryshim në këtë kuptim, ” tha ajo, duke shpjeguar se formulat e njëjta buxhetore, të aplikuara vit pas viti, nuk kanë sjellë ndryshim as për pensionistët dhe as për shtresat e tjera në nevojë.
Në fund të deklaratës, Tabaku nënvizoi rëndësinë e ndryshimit të modelit ekonomik dhe të qeverisjes, duke e cilësuar këtë si domosdoshmëri për t’i dhënë fund një sistemi që, sipas saj, favorizon pakicën. ” Ashtu siç ka ndodhur për 12 vite me radhë, nuk ka ardhur ndryshimi prej tyre. Ne këtë duhet të ndryshojmë: modelin ekonomik, qeverisjen, sistemin i cili favorizon më shumë pakicën, ” përfundoi ajo, duke bërë thirrje për një vizion të ri që të mundësojë një ekonomi më të drejtë dhe të qëndrueshme për gjithë shqiptarët
Teksti plotë:
Zhurmë e madhe, propagandë e madhe , rritje pagash, pensionesh, një realitet tjetër paralel që asnjë nga qytetarët shqiptarë nuk e prek. Fakti është që sot cmimet janë rritur 60% dhe kjo rritje 60% dëmton më shumë pensionistët të cilët nuk kanë pasur rritje pensioni në 12 vitet e shkuara, rritje prej 1% në vit nuk i plotëson nevojat minimale të jetesës jo më rritjen me 60% të cmimeve, ndikon më shumë tek shtresa sociale, ndikon më shumë tek ata që janë më të varfër. Ky model ekonomik që rritjen ekonomike e con tek një grup i vogël, tek një pakicq që merr sot kontratat publike, duhet të ndryshojë. Ky model ekonomik që të gjithë rritjen e cmimeve ja ngarkon shtresave më të varfra dhe më në nevojë duhet të ndryshojë. Ekonomia shqiptare duhet të prodhojë për të gjithë,duhet të rritet për të gjithë dhe ky buxhet nuk sjell asnjë ndryshim në këtë kuptim. Nuk ka më shumë prioritete të vendosura as për pensionistët, as për bujqësinë, as për arsimin, as për shëndetësinë. është e njëjta formulë sic ka qenë vitet e shkuara e askush nuk mund të presë që ndryshimi të vijë nga ky buxhet dhe as nga asnjë buxhet tjetër socialist. Ashtu sic ka ndodhur për 12 vite me rradhë, nuk ka ardhur ndryshimi prej tyre. Ne këtë duhet të ndryshojmë, modelin ekonomik, qeverisjen, sistemin i cili favorizon më shumë pakicën