Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka kërkuar që në takimin që do të mbahet të hënën mes dy qeverive asaj të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës të diskutohet për çështjen e cënimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Ahmeti përmes një shkrimi në Facebook ka kërkuar edhe nga partitë politike në Kosovë, që bashkarisht ta ngrisin zërin ‘kundër nëpërkëmbjes së të arriturave kombëtare të fituara me gjak’.
“Gjuha shqipe është e shqiptarëve, jo e BDIsë, dhe atë do ta mbron populli! Sonte në Negotinë të komunës së Vrapçishtit u fol hapur e zëshëm kundër poshtërsimit, nënçmimit dhe tentativave për ta zhbërë Marrëveshjen e Ohrit.
Populli ka mllef andaj dhe ftoj partitë tjera politike mos të bëhen pjesë e skenareve jo të mira për vendin dhe për shqiptarët si dhe të braktisin institucionet duke mos i lënë gjurmë turpi kombëtar vetës dhe familjeve të tyre”, shkroi Ahmeti.