Fermerët e zonës së Visokës në qytetin e Patosit kanë nisur vjeljet e ullirit për prodhim vaji. Mungesa e fuqisë punëtore, mungesa e rrugëve në zonat kodrinore për të zbritur prodhimin në fabrikat e përpunimit apo dhe sasia e pakët e vajit që fermerët po marrin këtë vit për shkak të kushteve atmosferike janë disa nga sfidat që po hasin këtë vit.
” Problemi është që ne s’kemi fuqi punëtore, nuk po e përballojmë dot sepse ulliri ka një kohë dhe stadin e vete, nqs e vjelë në kohë fitove nëse se vjen në kohë nuk fiton dot dhe e treta nuk kemi rrugë të futemi nëpër parcela, është e pamundur të futemi dot po i ngrehmë thasët në krah nga 200-300metra gjë që na kushton shumë plus në shëndet por dhe në kohë…. jemi shumë dobët thuaj nuk kemi fare, kemi ngelur brezi nga 50 vjeç e lart deri në 70 vjeç po torturohemi”
Rendimenti i vajit këtë vit ka ardhur duke u reduktuar, duke sjellë një dëm të madh ekonomik për fermerët, në krahasim me vitin e kaluar. Sasia e vajit të prodhuar në 100 kilogram ullinj është 40 % më pak.
“Problemi është që prodhimi sivjet qe i pakët, e dëmtojë shumë thatësira e madhe e dëmtoi atëherë koha dhe në lidhje të kokrrës së ullirit por më e keqa është se rrezja e vajit është shumë e ulët, fshatari është shumë mangët në ekonomin e tij në drejtim të ullirit. Për mua ka një rënie prej 40% në krahasim me vitet e tjera”
Litri i vajit të ullirit ka shkuar për shitje në 650 deri 700 lekë brenda vendit dhe për eksport, nga 750 – 800 lekë litri që është shitur një vit më pare.