Fiket “semafori” i Scholz: zgjedhjet gjermane, Ballkani dhe bota

by Merita

Kriza politike erdhi pasi kancelari, Olaf Scholz, shkarkoi ministrin e tij të financave, Christian Lindner.

SPD dhe partia e vogël liberale patën mosmarrëveshje për planin e rigjallërimit të ekonomisë gjermane, sipas asaj që raporton(DW) Dojçe Vele. Kancelari kërkonte të shpallte një situatë emergjente për vendin, gjë e cila do të justifikonte juridikisht marrjen e një borxhi prej 15 miliardë eurosh.

banner

3 miliardë do të shkonin në ndihmë për Ukrainën. Por Lindner kishte plotësisht plane të tjera: lideri i partisë liberale, në kthesën e tij radikale ekonomike, kërkonte shkurtime masive të shpenzimeve dhe ulje të taksave.

Negociatat mes palëve për të gjetur një gjuhë të përbashkët arritën në një fund pa krye, me kancelarin Scholz që konfirmoi se durimit të tij i kishte ardhur fundi. 23 shkurti i vitit 2025 është caktuar nga partitë politike të Bundestagut si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare.

Kështu, “motori i ekonomisë europiane” është zyrtarisht në një krizë politike, por si erdhëm deri këtu?

Tre ditë përpara përkujtimit të përvjetorit të rënies së murit të Berlinit, në Gjermani ra një copëz politike. Koalicioni që mori nofkën “semafori” nga 3 ngjyrat identifikuese: të kuqtë e Partisë Social Demokrate, SPD, Të Gjelbrit dhe të verdhët e Partisë Së Lirë Demokratike, FDP, nuk ishte kurrë një bashkim i ndodhur në kushtet më të mira, pasi triada u përcaktua nga rezultati i zgjedhjeve të fundit.

Ekonomia ishte pika ndarëse, pasi SPD dhe ambjentalistët ishin në favor të investimeve të mëdha për të përshpejtuar rritjen ekonomike dhe kalimin në energjinë e rinovueshme, ndërsa liberalët e FDP besonin në një qeveri më të vogël me reduktime të konsiderueshme në shpenzime.

Kancelari Olaf Scholz bëri takime të shumta për të bërë që palët të arrinin një zgjidhje kompromisi për ta vijuar qeverisjen, ndërsa në tryezë prezantoi një dokument, me të cilin sipas DË(Dojçe Vele), kërkonte të pranohej se Gjermania po përjeton një situatë emergjente.

Kjo do të justifikonte juridikisht marrjen e një borxhi dyshifror miliardash nga qeveria. Në situata emergjente frena kushtetuese për borxhin lejohet të shkelet. Oferta e Scholz ishte në kundërpërgjigje të propozimit nga lideri i liberalëve të FDP, Christian Lindner, që kërkonte një kthesë radikale ekonomike me shkurtime masive në shpenzime dhe ulje taksash. 

“Sapo i kërkova presidentit lirimin nga detyra të ministrit të financave. Jam i detyruar ta ndërmarr këtë hap në mënyrë që të shmang dëmin ndaj vendit tonë. Ne kemi nevojë për një qeveri që është në gjendje të veprojë, që ka forcën për të marrë vendimet e nevojshme për vendin. Kjo ka qenë e rëndësishme për mua në këto 3 vite dhe kjo vazhdon të jetë e rëndësishme dhe tani. Kam bërë një ofertë gjithëpërfshirëse për partnerët në koalicion, Partisë së Lirë Demokratike, se si mund të mbyllim hendekun në buxhetin federal pa e futur vendin tonë në kaos,”

“Fatkeqësisht, Olaf Scholz, tregoi se nuk ka forcën e duhur për t’i dhënë vendit një shtysë të re. Në vend të saj, kancelari më dha një ultimatum për të pezulluar frenën e kushtetutës për borxhin. Nuk mund ta bëj këtë pasi do të thyeja betimin tim. Prandaj këtë mbrëmje, kancelari përfundoi bashkëpunimin me mua dhe FDP. Fjalimi i tij tregoi se Olaf Scholz nuk kërkonte një marrëveshje për të gjithë, por synonte një prishje të llogaritur mirë të këtij koalicioni. Me këtë, ai po e drejton Gjermaninë në një fazë pasigurie. Tani vendi po përballet me një vendim të ri. Kemi nevojë për epokë të re rritjeje, prosperiteti dhe inovacioni,” Christian Lindner, Lider i FDP.

“Pikëpamjet e ndryshme se si të pajtohen për ruajtjen e tavanit të borxhit duke reaguar në mënyrë të përshtatshme ndaj krizave, në fund, kanë çuar në dallime të papajtueshme brenda Qeverisë Federale,” Frank-Walter Steinmeier, President i Gjermanisë.

Auron Dodi, eksperti më i shquar shqiptar për Gjermaninë, që jeton prej vitit 1991 në Gjermani, ku shoqëron me analiza e shkrime publicistike përparimin e vendit pas ribashkimit, tregon se çfarë shkoi keq për koalicionin qeverisës.

“Koalicioni qeveritar tripartiak i Gjermanisë u shpërbë për shkak të mosmarrëveshjeve, për politikat ekonomike. Socialdemokratët dhe Të Gjelbrit kërkonin më shumë kredi, për të investuar në infrastrukturë e në forcat e armatosura. Liberalët e FDP-së thoshin se kjo rëndon brezat e ardhshëm. Si konservatorë ata kërkonin uljen e shpenzimeve publike dhe uljen e taksave të sipërmarrjeve. Harmonia në koalicion mbajti vitin e parë, pastaj mosmarrëveshjet qenë publike. Ndaj shpërbërja e koalicionit, në fund, ishte hap që pritej. Siç e thatë edhe ju në hyrje, akti i shpërbërjes së koalicionit ishte shkarkimi nga kancelari Scholz i ministrit të Financave Lindner. Lindneri refuzoi të marrë kredi, siç i kërkoi Scholz, edhe për të ndihmuar edhe Ukrainën. Për këtë duhej pezulluar frena kushtetuese e borxhit, që përcakton një tavan, për borxhet e reja. Koalicioni i tri partive u krijua me ambicie të mëdha, pas 16 vitesh qeveri, nën kancelaren Merkel. Por u zgjua në një botë të re, pak muaj pas krijimit. Detyra tani qe jo vetëm modernizimi e dekarbonizimi i ekonomisë – për këto presioni për një vijë të qartëpolitike, erdhi duke u shtuar. Me luftën në Ukrainë u hap fronti i reformimit rrënjësor të politikës ushtarake, dhe të sigurisë të Gjermanisë. Me shpalljen e Zeitenëende, kthesës epokale, kancelari Scholz e nisi ndryshimin: nisi riarmatosjen e ushtrisë, u dha mbështetje të jashtëzakonshme Ukrainës dhe evropianolindorëve. Gjermania gjeti me sukses partnerë të tjera për energjinë, pas ndërprerjes së furnizimit nga Rusia. Por presioni mbi fondet, paratë, në këtë situatë u bë i jashtëzakonshëm. Dhe në fund e ndau koalicionin- që ishte ndëshkuar edhe në zgjedhje rajonale e në sondazhe,” Auron Dodi, analist në Deutsche Welle.

“Fundi i koalicionit qeverisës në Gjermani nuk është një surprizë, por koha e zgjedhur për ta zyrtarizuar ishte befasuese në disa mënyra, pasi në dy muajt e fundit kemi vëzhguar se koalicioni mes tri partive ishte i brishtë dhe i mbushur me shumë mosmarrëveshje. Ka patur shumë qëndrime të kundërta dhe konflikte brenda këtij koalicioni. Prisnim për momentin kur do të thyhej aleanca. Por kishte një dinamikë që dukshëm nuk ishte më e kontrollueshme,” Stefan Marschall, Analist politik.

“Këto tre partnerë, kishin dallime të mëdha në akse të ndryshme të dimensioneve politike. Në dimensionin ekonomik, partia liberale dhe social demokratët janë shumë larg njëri-tjetrit. Kjo pa diskutim që krijon një problem kur vjen puna në zgjedhjen e mënyrës për shpenzimin e parave, ku duhet të shkojnë dhe ku jo. Ky përfundimisht është një problem i madh mes tyre. Ne nuk kemi patur kurrë një koalicion me 3 parti. Është gjithmonë e vështirë për të arritur një konsensus mes 3 partnerëve që synojnë rizgjedhjen dhe marrjen e rezultateve të mira në votime,” Jasmin Riedl, Profesoreshë për Studime Politike.

Sipas sondazheve, është thuajse e sigurt që kreu i CDU-së pritet të marrë postin e kancelarit. Ky zhvillim përbën një kthesë të rëndësishme për politikën gjermane pas disa viteve në opozitë të Unionit Kristian Demokrat. Por pyetja kryesore mbetet se me cilat parti do të bashkëpunojë Friedrich Merz i CDU-së për të formuar një koalicion qeverisës?

Me një rritje të dukshme në sondazhe, Alternativa për Gjermaninë, AfD, po bëhet një lojtar gjithnjë e më i rëndësishëm në skenën politike gjermane. Diskutimi mund të përqendrohet në arsyet që çuan në këtë rritje të përkrahjes për ekstremin e djathtë dhe çfarë nënkupton kjo për politikat e brendshme dhe të jashtme të Gjermanisë. Duke marrë parasysh konfiguracionin aktual politik dhe sondazhet, pyetja që shtrohet natyrshëm është cili mund të jetë koalicioni qeverisës që mund të dalë pas zgjedhjeve të shkurtit?

“Në zgjedhjet e 23 shkurtit, do të paraqesin kandidatë për kancelarë katër parti: CDU, socialdemokratët, të Gjelbrit dhe Alternativa për Gjermaninë AfD. Por shanset më të mëdha për fitore i ka CDU, Bashkimi Kristjandemokrat, me Friedrich Merzin. Prej një viti kjo parti është stabile, te mbi 30% në sondazhe; AfD ka aktualisht 19%, socialdemokratët 16% dhe të Gjelbrit 10%. Merzit do t’i duhen aleatë. Por partinë ultra të djathtë AfD ai e ka përjashtuar prerë nga bashkëpunimi. Si kanë bërë të gjitha partitë, që ruajnë “kordonin sanitar” me AfD. Sipas ekspertëve, për një qeverisje stabile, Merzi mund të ftojë në qeveri socialdemokratët. Këtë e mbështet edhe opinioni në Gjermani. Por shifrat mund të mjaftojnë edhe për Të Gjelbrit. Partner i preferuar ideologjik për CDU-në, do të ishin liberalët e FDP, nëse arrijnë të hyjnë në Bundestag. Çfarë pritet në politikën e brendshme dhe ekonomike me Merzin? Po të shohësh programin e CDU-së, që u miratua në fillimit të majit: ai mbështet kthimin te energjia atomike, një sistem azili për dërgimin e azilkërkuesve në vende të treta dhe hapa për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Edhe në Bundestag këtë të mërkurë, Merzi tha se do të heqë dorë, nga fiksimi te energjia e erës dhe energjia diellore; dhe do të ashpërsojë luftën kundër migrimit të paligjshëm – me dëbime në kufi dhe kufizimin e bashkimeve familjare,” Auron Dodi, analist në Deutsche Welle.

Gjermania, si një nga shtetet më të fuqishme të Bashkimit Europian, ka luajtur gjithmonë një rol kyç në mbështetjen e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit europian dhe zhvillimit ekonomik. Me ndryshimet e pritshme politike në atë shtet, pas zgjedhjeve dhe krijimit të një qeverie të re, shtrohet pyetja: çfarë do të ndodhë me mbështetjen ndaj rajonit? Gjermania ka lehtësuar procesin e punësimit për punonjës të kualifikuar nga Ballkani, duke hapur tregun e saj për ekspertë në fusha të ndryshme. Por si do të ndikohen këto politika nga një qeveri e re?

A do të vazhdojë Gjermania të ofrojë këto mundësi për shtetasit e Ballkanit Perëndimor, apo mund të shohim kufizime të mundshme? Ndërsa duhet përmendur edhe roli i Gjermanisë në dialogun Kosovë-Serbi, pasi Berlini në një farë mënyrë orienton synimet dhe thotë fjalën e fundit për zhvillimet në tryezën e Brukselit duke vulosur dhe marrëveshje, siç ishte dhe ajo e normalizimit të marrdhënieve.

“Kujtoj që kancelarja kristjandemokrate, Angela Merkel ka thënë se është në interesin e Gjermanisë, që shtetet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE. Këtë e përsëriti edhe kancelari Scholz. Me shpërthimin e luftës në Ukrainë, Scholzi madje i përcolli edhe Presidentit francez Macron, që Gjermania nuk e mbështet kthimin e Komunitetit Politik Evropian, në një paradhomë për anëtarësim në BE. Friedrich Merzi, nga CDU-ja, ka deklaruar së fundi, se në të ardhmen, në politikën e jashtme ai do të mbështesë madje edhe më fort interesat e Gjermanisë. Pra po të nisemi që anëtarësimi i Shqipërisë, Kosovës, anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE, janë interes i Gjermanisë, nuk pritet ndryshim as nga një qeveri Merz. Shumë deputetë e politikanë të partisë së Merzit kanë punuar edhe nën Merkelin. Ndryshimi gjeopolitik me luftën në Ukrainë, madje e ka bërë më intensive vëmendjen për Ballkanin. Përsa i përket ardhjes së punonjësve të kualifikar nga Ballkani: Merzi, i kaloi 16 vjet në ekonomi, para rikthimit në politikë, në vitin 2021. Ai i njeh mirë nevojat akute të ekonomisë gjermane për punonjës të kualifikuar. Pra nuk shoh arsye të ndryshojë gjë.”

Në politikën dhe ekonominë europiane, Gjermania dhe Franca shpesh shihen si rivalë të heshtur, të cilët, megjithëse bashkëpunojnë për projektin europian, ndajnë qasje të ndryshme në shumë aspekte. Gjermania, e cilësuar si “motori ekonomik i Europës”, ka një peshë të rëndësishme në përcaktimin e politikave ekonomike dhe financiare të BE-së, ndërsa Franca shpesh ka synuar të marrë një rol më të madh në arenën politike dhe diplomatike të Unionit. Pyetja që na shfaqet natyrshëm është se si ndikon ky tension i heshtur në bashkëpunimin brenda Bashkimit Europian, dhe cili është ekuilibri i forcave mes Berlinit dhe Parisit? Pasi kjo vazhdon edhe në sfondin e botës së trazuar nga lufta e nisur nga Rusia në Ukrainë dhe konflikti në Izrael që kanë sjellë mjaft shqetësime për ekonominë globale.

“Bashkimi Europian duhet qëndrojë i bashkuar dhe të veprojë në mënyrë të unifikuar. Si kancelar i Gjermanisë kam punuar në këtë drejtim. Fola me Presidentin Macron sot. Nesër do të takojmë krerët e shteteve dhe qeverive nga Europa në Budapest. Ne do të koordinohemi nga afër dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në javët e ardhshme.”

“Për mua është e thjeshtë. Bota përbëhet nga barngrënës dhe mishngrënës. Nëse ne vendosim të mbetemi barngrënës, atëherë mishngrënësit do të fitojnë dhe ne thjeshtë do të bëhemi një treg për ta. Mendoj se nuk do të na dëmtojë të zgjedhim të bëhemi mishngrënës. Nuk dua të tregohem agresiv, por thjesht dua që të dijmë se si të mbrojmë veten në çdo çështje. Nuk dua që Europa të bëhet një skenë e madhe e mbushur me barngrënës në të cilën mishngrënësit do të vijnë për të gëlltitur sa herë që u përshtatet,” Emmanuel Macron, President i Francës.

“Gjermania është një aktor kyç në Bashkimin Europian. Dhe nëse ky lojtar i madh dobësohet disi, kjo mund të ketë gjithashtu implikime në të gjithë ndërtimin e Bashkimit Europian. Ajo që do të shohim ndoshta është një lloj zhvendosje e pushtetit brenda BE-së duke shkuar në pjesët e Europës Lindore, në shtetet e Europës Lindore. Dhe kështu ne mund të shohim disa ndryshime. Dhe ky mund të jetë gjithashtu një lloj zhvillimi afatgjatë me të cilin do të përballemi. Partnerët brenda BE-së dhe NATO-s nuk duhet të presin shumë nga Gjermania të paktën në muajt e ardhshëm. Ne nuk do të shohim një rol proaktiv të Gjermanisë kur bëhet fjalë për çështje të caktuara politike apo çështje të Ukrainës, për shembull. Por ajo që mund të presim është që Gjermania sigurisht që do të mbajë mbështetjen e saj për Ukrainën. Do të jetë pjesë e aleancës,” Stefan Marschall, Analist politik.

Me rikthimin e Donald Trump në presidencën e Shteteve të Bashkuara, aleanca historike mes SHBA-së dhe vendeve të Europës duket po hyn në një fazë testimi të vazhdueshëm. Përballë politikave të tij të njohura për nacionalizmin dhe qasjen “Amerika e Para”, pritet që marrëdhëniet transatlantike të hyjnë në një fazë të paparashikueshme, veçanërisht në raportin mes SHBA-së dhe Gjermanisë, një nga aleatët më të ngushtë të Amerikës në Europë.

Aksi Uashington-Berlin do të shënjohet sigurisht edhe nga zgjedhjet e shkurtit në Gjermani pasi duhet të shohim nëse presidenti i zgjedhur amerikan ka ndonjë parti të preferuar ose jo. Githçka duket se do të varet nga programet qeverisëse që do të prezantojnë në fushatë forcat politike. Por a do të ndikojë suksesi i Trump në politikën amerikane në rritjen e përkrahjes për forcat populiste dhe euroskeptike në Gjermani?

“Të dyja palët përfitojnë nga partneriteti transatlantik. BE-ja dhe SHBA-të janë dy zona të mëdha e të ngjashme ekonomike, të lidhur në marrdhëniet më të ngushta ekonomike në botë. Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara janë të lidhur nga një partneritet, madje miqësi, që është rritur përgjatë dekadave. Lidhjet tona njerëzore me SHBA-të janë më të afërta se çdo shtet tjetër jashtë europës. Miliona shtetas amerikanë kanë rrënjë gjermane. Prandaj ne jemi më mirë së bashku, pasi mund të arrijmë më shumë se sa kur jemi kundër njëri-tjetrit,” Olaf Scholz, Kancelar i Gjermanisë.

“SHBA janë partneri numër 1 tregtar i Gjermanisë. Politika në Gjermani u përpoq që para zgjedhjeve të vendosë kontakte me rrethin pranë Trumpit. Dhe me shtete të dominuara nga republikanët, në SHBA. Por në mënyrë të strukturuar, ekspertët thonë se një parapërgatitje nuk është e mundur. Pasi gjithçka me Trumpin është transaksionale. Kandidati konservator për kancelar, Friedrich Merz tha në një intervistë këto ditë, se planifikon të flasë me Trumpin ndryshe. Merz tha se duhet t’i artikulojmë më mirë dhe imponojmë interesat tona. Të arrijmë marrëveshje të mirë për të dyja palët, atë që Trumpi e quan deal, marrëveshje. Merzi mori si shembulll avionët luftarakë F-35, që Gjermania bleu së fundi te amerikanët. Ai tha se mund të kërkohet që riparimi i tyre të bëhet në uzina në Gjermani. Interesat janë gjithsesi të ndërthurrura. Eshtë fakt se Gjermania eksporton në SHBA mallra industriale, që prodhohen vetëm këtu. BMË-ja gjermane, është eksportuesi numër një i automjeteve, nga SHBA, nga Seatle. Por sfida më e madhe, edhe dy palëshe, do të jetë qëndrimi ndaj Ukrainës. Nëse Trumpi e ndërpret mbështetjen për Ukrainën, barra mbi Gjermaninë, fuqinë e dytë mbështetëse, do të jetë më e madhe. Gjermanët ende e mbvështesin ndihmën ushtarake për Ukrainën, me 57% aktualisht. Por mbështetja ka rënë. Në Lindje të Gjermanisë, kjo mbështetje madje është 40%. Merz është mbështetës i fortë i Ukrainës, madje kërkon ta furnizojë me raketa gjermane me rreze të gjatë veprimi. Por në fund është çështje fondesh buxhetore. Koalicioni aktual u shpërbë edhe për këtë arsye.” Auron Dodi, analist në Deutsche Welle.

“Jemi në një situatë ku kemi zhvillime të ndryshme në të njëjtën kohë, zgjedhjet në SHBA, kemi prishjen e koalicionit në Gjermani. Pra, ky është një lloj momenti shumë i çuditshëm dhe shumë i vështirë. Dhe kjo nuk ishte e pritshme. Dua të them, një problem ishte më së i mjaftueshëm. Dhe tani kemi disa të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit. Dhe, sigurisht, kjo ngre shumë pikëpyetje për rolin e Gjermanisë në muajt e ardhshëm. Ngre shumë pikëpyetje se çfarë mund të pritet nga Gjermania pas zgjedhjeve të ardhshme të parakohshme”. Stefan Marschall, Analist politik.

Ndërsa Gjermania i afrohet zgjedhjeve të ardhshme, çështjet kryesore që do të përcaktojnë rezultatin janë në qendër të vëmendjes. Përveç ekonomisë, e cila mbetet gjithmonë një prioritet për votuesit, një tjetër çështje që mund të dominojë fushatën është emigracioni, një temë e nxehtë që ka ndikuar fushatat elektorale në shumë vende perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Megjithatë peshë jo të vogël do të kenë edhe siguria ndërkombëtare, mjedisi dhe barazia sociale.

“Tema kryesore në fushatën elektorale pritet të jetë rigjallërimi i ekonomisë gjermane. Kandidati për kancelar i CDU-së, Friedrich Merz, tha në Bundestag të mërkurën, se do të kujdeset që në Gjermani të investohet sërish më shumë. Dhe që të ruhen vendet e punës. Ai tregoi gatishmëri që të reformojë frenën e borxhit kushtetues, për investime, siç u shpreh. Tema e dytë pritet të jetë kontrollimi i migrimit. 31 përqind e gjermanëve e shohin këtë si temë të rëndësishme. Nga temat e politikës së jashtme, pritet të mbizotërojë tema e Ukrainës. 45% e shohin këtë si temë qendrore. Tema tjetër është lindja e Mesme: shumica e gjermanëve, janë kundër vazhdimit të ndihmës ushtarake për Izraelin. Fushata elektorale premton të jetë interesante – po të gjykojmë nga fillimi me debatin në Bundestag të mërkurën. Kancelari Scholz tha se mbështetja e Ukrainës nuk duhet të çojë në shkurtimin e pensioneve dhe të përkujdesjes në Gjermani. Siç synojnë, sipas tij, kristjandemokratët. Por as Ukraina duhet lënë vetëm. Por edhe Scholz e përjetoi që fondet nuk mjaftojnë për gjithçka. Pra pritet një fushatë elektorale interesante,” shprehet Auron Dodi, analist në Deutsche Welle.

“Më pëlqen Lindner. Mendoj se është politikan i mirë. Ndërsa të gjelbrit Habeck dhe Baerbock janë të tmerrshëm. Mendoj gjithashtu që lideri i CDU Friedrich Merz mund ta çojë Gjermaninë përpara pak më shumë,” thotëIngo Bruch, Votues.

“Mendoj akoma që të gjelbrit janë opsion i mirë edhe pse ka shumë kundërshti. Qëndroj ende pas tyre. Ishin partia e parë që ngritën zërin për mbrojtjen e mjedisit. Prandaj do të vazhdoj të votoj për ta,” deklaron Kathrin Boehmisch, votuese.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy