Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar të shtunën se është liruar nga paraburgimi drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jeton Ismaili.
Ai u arrestua të premten. Reagoi edhe shefi i Presidencës, Blerim Vela, që u shpreh se Ismaili u arrestua pasi lejoi shfaqje teatrale të financuara nga institucionet e Kosovës.
Kamberi ndërkohë ka njoftuar se filmat e planifikuar për t’u shfaqur në Shtëpinë e Kulturës janë shtyrë për një kohë të pacaktuar.
“Jemi mirë. Jemi liruar nga organet e policisë në Bujanoc. Filmat nuk do të mbahen deri me një kohë të pacaktuar. Viti 2023. Vendi Bujanoc. Ballkani Perëndimor. Policia dhe shërbimi në aksion. Qëllimi: Sulm ndaj kulturës, traditës e identitetit kombëtar Autorët gjysmë të njohur”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Ai ka thënë se është e paqartë pse ka pasur kaq angazhim nga policia serbe për të ndaluar dy filmat e aktorëve shqiptarë pa e ditur përmbajtjen e tyre.
“I paqartë është motivi i angazhimit kaq të madhë i policisë në Bujanoc për të mar në bisedë informative dhe për të ndaluar premierën e dy filmave të aktorëve shqiptarë një ditë para se ata të shfaqen. Edhe më e paqartë është frika që ata kanë nga përmbajtja e filmave që as nuk i kanë parë. Parandaluan premierën për pretendimin rreth përmbajtjes në vend që të lejonin që përmbajtjen ta mësojnë nga premiera. “Heshtje vret” dhe “I pabesi” janë emrat e dy filmave të ndaluar. E emrat e tyre sikur na dërgojnë edhe porosi”, ka shkruar tutje Kamberi
Ai ka thënë se do t’iu drejtohet institucioneve gjegjëse për këtë veprim, ndërsa do t’i njoftojë edhe institucionet ndërkombëtare.