Policia e Kosovës ka njoftuar se ka patrulluar sot në rajonin e Mitrovicës së Veriut me vetura inteligjente.
Në njoftim thuhet se automjetet inteligjente mundsojnë që edhe gjatë patrullimit-lëvizjes, përveç tejkalimit të shpejtësisë, të identifikojnë edhe kundërvajtje të tjera të ndryshme.
“Policia, në kuadër të aktiviteteve të rregullta në ofrimin e sigurisë në trafik, identifikimin e kundërvajtësve si dhe parandalimin e aksidenteve, ka ndërmarrë veprime policore ndër të cilat edhe përdorimin e automjeteve inteligjente, të cilat ndihmojnë në identifikimin më të lehtë të kundërvajtësve. Automjetet inteligjente mundësojnë që edhe gjatë patrullimit-lëvizjes, përveç tejkalimit të shpejtësisë, të identifikojnë edhe kundërvajtje të tjera të ndryshme.”
Po ashtu Policia është përkujdesuar që të lirohen hapësirat publike nga parkingjet e parregullta.
“Njësitë policore në katër komunat veriore janë përkujdesur në lirimin e hapësirave publike (rrugë dhe trotuare) nga parkingjet e parregullta, me qëllim mundësimin e lirë dhe të papenguar të automjeteve dhe këmbësorëve.”
“Gjithashtu Policia është përkujdesur në vazhdimësi në ofrimin e sigurisë pranë shkollave, me qëllim që nxënësit të jenë më të sigurt gjatë shkuarjes dhe kthimit nga shkolla. Me qëllim parandalimin e aksidenteve në trafikut rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri apelon tek të gjithë ngasësit që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të respektojnë në vazhdimësi rregullat në trafik.”